Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se askush dhe asgjë nuk mund ta ndal ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, përcjell TV21. Nga BDI shtojnë se prolongimi i punëve për këto dy projekte nga ana e deputetëve vetëm se rrit koston e ndërtimit.
“Procesi deri në nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e korridoreve ndërmjet Qeverisë dhe konzorciumit Bechtel & Enka po zgjat tashmë më shumë se dy vjet dhe në procesin e hapur ishin të kyçur të gjithë. Marrëveshja është obligim që deputetët njëzëri e miratuan dhe e obliguan Qeverinë të veprojë. Projekti i ndërtimit të autostradave të Korridorit 8 dhe 10-D është një projekt ambicioz me rëndësi kombëtare për të ndërtuar 109 kilometra autostradë në 57 muaj (4 herë më shpejt se mesatarja e ndërtimit në vendin tonë) përmes një modeli të ri që e përdorin kompanitë më të mëdha dhe më me përvojë në botë. Autostradat nuk mund t’i ndalë më askush dhe asgjë, por nëse deputetët vendosin ndryshe, projekti do të zgjasë dhe do të kushtojë shumë më tepër”, thonë mes tjerash nga BDI.