Bashkëpunimi energjetik rajonal në fokus të vizitës së zëvendës kryeministrave Bytyqi dhe Nikollovski dhe ministrit Bekteshi në Selanik

Shkup, 28 shtator 2020 (MIA) – Zëvendës kryeministrat për çështje ekonomike, koordinim të resoreve ekonomike dhe investime, Fatmir Bytyqi dhe për luftë kundër korrupsionit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe resurseve njerëzore, Lupço Nikollovski dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot në Selanik morën pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Siguria dhe bashkëpunimi energjetik rajonal”.

Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë edhe sekretari shtetëror i SHBA-së, Majk Pompeo, ministri i Zhvillimit, Konkurrencës, Infrastrukturës në Qeverinë e Republikës së Greqisë, Kostis Haxidakis, ambasadori i SHBA-së në Republikën e Greqisë, Xhefri Pjat dhe ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kejt Mari Bërnz.

Pas përfundimit të tryezës së rrumbullakët, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, zëvendës kryeministri Bytyqi potencoi se kjo është mundësi e shkëlqyer që të këmbehen përvojat në pjesën e energjetikës, potencialet për bashkëpunim dhe të bisedohet për aktivitetet e ardhshme në drejtim të përmirësimit të lidhjes energjetike.

“Për Maqedoninë e Veriut, si vend i vogël dhe i varur për import të energjisë elektrike, bashkëpunimi rajonal është thelbësor, posaçërisht për shkak të lidhjeve të vendit për energji elektrike me Serbinë dhe Greqinë, si dhe korridori për transmetim të energjisë elektrike nga Bullgaria deri në Greqi”, tha zëvendës kryeministri.

Sipas tij, rëndësia dhe nevoja për bashkëpunim rajonal janë pjesë edhe të prioriteteve në Strategjinë për energjetikë, e cila definon masa dhe projekte konkrete në aspekt të lidhjes tejkufitare.

Energjetika është pjesë përbërëse e jetesës së sotme, posaçërisht që ky sektor nuk nënkupton vetëm prodhim dhe distribuim të energjisë elektrike, por, në të përfshihen gazi dhe derivatet, si dhe efikasiteti energjetik. Pikërisht përmes rritjes së bashkëpunimit rajonal në sferën e energjetikës, shohim mundësi dhe potencial të madh për krijimin e ekonomisë së qëndrueshme dhe zhvillimore, që është prioritet kulmor i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë katër viteve të ardhshme”, tha Bytyqi.

Maqedonia e Veriut është e përkushtuar në zbatimin e reformave në sektorin energjetik dhe realizimin e obligimeve të cilat rrjedhin nga Marrëveshja për formimin e Bashkësisë energjetike. Janë implementuar dispozitat dhe obligimet që rrjedhin nga Pakoja e tretë energjetike e BE-së dhe Direktiva për burime të ripërtëritjshme të energjisë. Avancimi nga vendi i fundit në rajon – në vend me avancim të jashtëzakonshëm është vlerësuar edhe në Raportin e Bashkësisë energjetike. Cak është që të vendosen në funksion të gjitha kapacitetet dhe të shfrytëzohet tërë potenciali i pashfrytëzuar energjik natyror që e posedon Maqedonia e Veriut. Plani i Qeverisë është që seriozisht ta rrisim prodhimtarinë vendore të energjisë elektrike, nga burimet e ripërtëritshme, t’i arrijmë standardet evropiane në prcesin e menaxhimit me resurset energjetike dhe të xdisim investime të reja në sektorin energjetik, theksohet në kumtesë.

“Do të doja të përkujtoj se gjatë vizitës së fundit të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në Republikën e Greqisë, morëm mbështetje nga konsorciumi ‘Gastrejd’ për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e terminalit për gaz të lëngshëm natyror në afërsi të Aleksandropolis në Greqi. Me këtë projekt krijohet mundësi për furnizim të përhershëm dhe stabil me gazin natyror për vendin tonë, i cili njëkohësisht do të bëhet pike nga e cila më pas gazi do të shpërndahet edhe më gjerë në rajon dhe në vendet të cilat do të tregojnë interes”, ka thënë zëvendëskryeministri.

Bytyqi shtoi se energjetika është pjesë përbërëse për zhvillim të qëndrueshëm që nënkupton diversifikim të prodhimtarisë së energjisë elektrike, liberalizim të plotë të tregjeve, rritje të prodhimtarisë të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, ndërtim të infrastrukturëss së re moderne energjetike, lidhje me gaz me rajonin, si dhe projekte për efikasitet energjetik.

“Do të punojmë shumë për ta avancuar bashkëpunimin me vendet në rajon, në të gjitha fushat, ekonomi dhe energjetikë veçanërisht edhe nga kjo të gjithë do të kemi përfitime, shtetet dhe qytetarët të cilët jetojnë në to. Vazhdojmë me bashkëpunim të shkëlqyer ndër fqinjësor dhe në mënyrë shtesë i përforcojmë marrëdhëniet ekonomike mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë. Potencialin e pashfrytëzuar për bashkëpunim nga e kaluara e transformuam në partneritet të jashtëzakonshëm nga i cili dobi do të kenë jo vetëm qytetarët e dy vendeve, por edhe tërë rajoni. Greqia dhe Maqedonia e Veriut janë shembull i mire për ndërtimin e marrëdhënieve të ndërsjella, bashkëpunim dhe partneritet strategjik”, theksoi Bytyqi.

Pas përfundimit të tryezës së rrumbullakët, Delegacioni zyrtar qeveritar e vizitoi IKT parkun teknologjik “Tehnopilis” në Selanik, me ç’rast përfaqësuesit tanë realizuan takime me menaxhmentin e parkun teknologjik dhe të kompanive “Delojt” dhe “Logismoz” të cilët funksionojnë në kuadër të parkut, me të cilët biseduan për mundësitë për investim në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mbështetjen të cilën Qeveria e siguron për kompanitë të cilat realizojnë investime të reja. bsh/fb/

Ngjarja paraprake

“The Guardian” bën paralajmërimin e frikshëm: Harrojeni koronavirusin, përgatituni për një tjetër pandemi të rrezikshme

Ngjarja e ardhëshme

Migrantët vendosin tenda në portat e Serbisë, në pritje për të hyrë në shtetet e BE-së

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian