Azerbajxhani përkujton themeluesin e tij në 137-vjetorin e lindjes

Mammad Amin Resulzadeh, themeluesi i Azerbajxhanit, një nga republikat e para demokratike në botën muslimane, sot përkujtohet në 137-vjetorin e lindjes, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e identitetit kombëtar modern azerbajxhanas, Resulzadeh luftoi për pavarësinë e vendit të tij, të drejtat e njerëzve dhe ndriçimin e shoqërisë përmes shtypit dhe aktiviteteve të tij politike.

Përveç Azerbajxhanit, ai përkujtohet edhe në Turqi, ku kaloi disa vite të jetës së tij.

Shprehja e tij, “Pasi të jetë ngritur, flamuri nuk bie kurrë”, u bë motoja e lëvizjes së pavarësisë në Azerbajxhan në shekullin e 20-të.

Jeta

Presidenti i parë dhe i vetëm i Republikës Demokratike të Azerbajxhanit lindi në fshatin Novhani të Bakus në vitin 1884. Ai ndoqi mësimet në Shkollën e Mesme Ruse-Muslimane dhe më pas në Kolegjin Teknik të Bakus.

I interesuar në politikë që në moshë të hershme, Resulzadeh luftoi politikisht kundër regjimit carist të Rusisë dhe gjithashtu shkroi në gazeta dhe revista të ndryshme.

Në vitin 1909, ai iku në Iran për shkak të persekutimit, filloi botimin e të përditshmes ‘Iran-e-No’ (Irani i Ri), dhe u bë një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Iranit.

Pas invazionit të trupave ruse në Iran, Resulzadeh erdhi në Stamboll, kryeqytetin e Perandorisë Osmane.

Në vitin 1913, u kthye në Baku dhe u bë anëtar i Partisë Musavat (Barazia). Ai u zgjodh si kryetar i saj katër vjet më vonë.

Në vitin 1918, Resulzadeh u zgjodh unanimisht si kreu i Këshillit Kombëtar të Azerbajxhanit, një organ legjislativ.

Republika e Azerbajxhanit

Më 28 maj 1918, Këshilli Kombëtar i Azerbajxhanit, i kryesuar nga Rasulzadeh, shpalli Republikën Demokratike të pavarur të Azerbajxhanit.

Në të njëjtin vit, Osmanët dhe Azerbajxhani i sapoformuar nënshkruan një marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi.

Kur Republika u zhbë në vitin 1920, Resulzadeh u largua nga Baku dhe drejtoi rezistencën kundër Rusisë sovjetike nga fshati Lahij. Rebelimi u shtyp nga ushtria ruse sovjetike.

Resulzadeh u arrestua dhe u soll në Moskë. Megjithëse Joseph Stalin dëshironte që ai të bashkëpunonte me Rusinë sovjetike, ai e refuzoi ofertën.

Ai pastaj vazhdoi të jetonte në vende të ndryshme, duke përfshirë Francën, Finlandën, Poloninë dhe Gjermaninë, dhe shkroi kundër sovjetikëve që bota të dinte se Azerbajxhani ishte nën okupim.

Shtetas turk

Në vitin 1947, Resulzadeh u vendos në Turqi. Ai u bë shtetas turk nën një dekret qeveritar dhe themeloi Shoqatën Kulturore të Azerbajxhanit në vitin 1949 në Ankara, e cila është akoma aktive.

Ai vazhdoi të shkruante libra dhe zhvilloi bisedime për t’ia përcjellë botës gjendjen në Azerbajxhan.

Resulzadeh vdiq më 6 mars 1955 në Ankara dhe u varros në Varrezën Cebeci Asri në kryeqytetin turk.



. .

Ngjarja paraprake

Veselaj-Gutaj e PDK-së: Do të punoj shumë për një arsim cilësor dhe të depolitizuar

Ngjarja e ardhëshme

Si ta pastroni pasqyrën pa lënë asnjë gjurmë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian