Avionët luftarakë izraelitë godasin 8 objektiva në Siri

Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur 8 objektiva në Siri që i përkasin Gardës Revolucionare Iraniane Kuds dhe forcave të regjimit të Asadit, njoftoi sot ushtria izraelite përmes një deklarate, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sulmi dëmtoi depot, bazat komanduese dhe komplekset ushtarake si dhe bateritë e raketave tokë-ajër”, thuhet në deklaratë.

Sipas të njëjtës deklaratë, sulmet ajrore, të cilat filluan të martën në mëngjes dhe përfunduan mëngjesin e sotëm erdhën si përgjigje ndaj eksplozivëve të gjetur nga ushtria izraelite në kufi, të cilat ishin vendosur nga një celulë siriane që vepron nën drejtimin iranian.

Avichay Adraee, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, në Twitter tha: “Ne (ushtria izraelite) shënjestruam 8 objektiva brenda Sirisë, përfshirë një kamp të udhëhequr nga Irani i përdorur si selia kryesore për forcat iraniane pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut”.

“Goditjet u bënë për të përcjellë dy mesazhe të qarta: së pari, ne nuk do të lejojmë vazhdimin e pozitës iraniane në Siri në përgjithësi dhe në kufijtë tanë në veçanti, dhe së dyti, nuk do të lejojmë që regjimi sirian të mbyllë sytë para këtij pozicioni”, tha Adraee.

Agjencia siriane e lajmeve (SANA) citoi një burim ushtarak i cili tha: “Armiku sionist kreu një sulm ajror nga Lartësitë e okupuara siriane të Golanit në rajonin jugor”.

Që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011, Izraeli ka kryer disa sulme ndaj forcave të Hezbollahut të mbështetur nga Irani dhe ushtria siriane, duke pretenduar për hedhje raketash në territorin e saj herë pas here nga Siria dhe Lartësitë e Golanit.



. .

Ngjarja paraprake

Identifikimi biometrik, 6 kompani shfaqin interes për zgjedhjet në Shqipëri

Ngjarja e ardhëshme

Apple redukton komisionin për krijuesit e aplikacioneve iOS

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian