Avantazhet e disavantazhet e betejës midis Kurtit dhe Vuçiqit në veri!

Veriu i Kosovës gjendet ende në konflikt thuajse të hapur! Është një konflikt midis Kosovës dhe Serbisë, i pykëzuar edhe si betejë personale midis Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit. Ishim mësuar prej më shumë se një dekade që liderët e Kosovës t’i shihnim më shumë pro sesa kundër Beogradit. Ndoshta dhe ky fakt ka ndikuar që përballja në veriun e Mitrovicës të shihet si betejë midis dy liderëve, të cilët nuk lëshojnë rrugë.

Aksion nacional-fashist i Vuçiqit

Albin Kurti mbetet në këtë linjë, sepse ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror e ka si kauzë dhe premtim elektoral të tij. Ndërsa, Aleksandër Vuçiqi ka premtuar të marrë prej Kosovës “atë që i takon Serbisë”, d.m.th ta ndajë atë, por personalisht ai nuk e ka kauzë të tij këtë aksion nacional-fashist. Kjo do të thotë se Vuçiqi luan me dy porta. Në fund të fundit ai e ka thënë që në vitin 2016 se do të ishte një Tito i ri. Pra, se do të flirtonte me Perëndimin e njëkohësisht do të ruante lidhjet e ngushta me Moskën. Kurti duket i vendosur në kauzën e vet. Megjithatë ai ka bërë lëshime, gjithnjë nën trysninë amerikane dhe të europianëve. Por, lëshimet e Kurtit i nxiti gjithashtu opozita me kritikat për mosbashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në, ndërsa do të duhej mbështetje ndaj qeverisë për aksionet e saj politike e deri policore për ruajtjen e integritetit territorial të vendit.

Pra, Kurti i bëri lëshimet për targat, për zgjedhjet etj, jo aq se këto i kërkuan partnerët dhe miqtë e Kosovës, por se qëndrimeve të tij iu kundërvunë edhe opozitarët brenda vendit. Ndërsa, Vuçiqi shfrytëzoi pikërisht këtë situatë të vështirë të Albin Kurtit që ta bllokojë jetën politike, institucionale, juridike, sociale, ekonomike etj., në katër komunat e veriut. Kurti i vetëm do të dorëzohej një ditë. Dhe pikërisht kur ai u dorëzua pasi ra dakord me Vjosa Osmanin për shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat e veriut, në veri u ngritën barrikadat.

Qëllimi, ndarja e Kosovës

Presidenti i Serbisë shfrytëzoi pozicionin e dobësuar të Albin Kurtit dhe veproi në favor të idesë së tij për ndryshimin e kufijve midis dy vendeve. Atë që me Hashim Thaçin dhe Edi Ramën do ta bënte në stilin „Mos i thuaj të gjitha”, tani përpiqet ta bëjë me mjetet e forcës. Edhe protesta e nja 100 serbëve ekstremistë në Jarinë ishte skenar i presidentit serb në koordinim me Moskën.

A është e aftë Kosova të përgjigjet me të njëjtat mjete? Edhe pse Vuçiqi ka thirrur në mbështetje të planit të tij mercenarë rusë të Wagnar, unë besoj se Kosova i ka kapacitetet që ta vendosë rendin kushtetues në katër komunat e veriut. Madje duke evituar një luftë frontale me Serbinë. Kërcënimet e Beogradit për dërgimin e ushtrisë në Kosovë dhe marrjen me forcë të një pjese të territorit të saj janë thjesht manovër për të përçarë faktorin politik dhe publik në Kosovë.

Duke e përçarë këtë faktor, Vuçiqi e ka më të lehtë ta ndajë territorin e saj me mjete provokative. Nuk mendoj dhe nuk besoj aspak se Serbia është e aftë të përballet në veri të Kosovës edhe me forcat e ushtrisë e të sigurisë që mobilizon Prishtina, edhe me forcat e KFOR-it e të NATO-s. Prandaj, dhe çdo akt bllokimi, barrikadimi, bojkotimi është thjesht mjet presioni.

Tridhjetë e pesë mijë banorë të pakicës serbe në veri të Mitrovicës nuk mund ta bllokojnë shtetin dhe të venë në pikëpyetje sovranitetin e tij. Nëse do të ndodhte kjo në Kosovë, atëherë do të inkurajoheshin të gjitha pakicat në Europë e kudo tjetër që ta bënin të njëjtën gjë. Janë politikat agresive, diversive dhe luftënxitëse të Beogradit që në bashkëpunim me Moskën synojnë ta ndajnë Kosovën.

E megjithëse opozita e Kosovës e njeh këtë fakt, përsëri sulmet i adreson te kryeministri i Kosovës dhe jo te mbrojtja e saj prej armikut shekullor, Serbisë! Albin Kurti pak ose shumë pak e elaboron qëllimin serb të ndarjes së Kosovës. Më së shumti gjen arsye ta lidhë diversionin e Beogradit me mospranimin prej tij të planit franko-gjerman. Edhe kjo është një arsye e destabilizimit që forcat serbo-ruse të terrorit bëjnë në veri. Por, qëllimi është ndarja faktike e territorit. Më pas ulja në bisedime për ta legjitimuar. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe jo politikë në Kosovë e madje edhe në Shqipëri dhe gjetkë.

Vuçiqi ka avantazh në këto përpjekje, sepse atë e mbështesin disa aktorë perëndimorë, të cilët i ka bindur se “Nëse më jepni veriun e Kosovës, Serbia do të bëhet pjesë e integrimeve euro-atlantike”! Ky avantazh i tij shoqërohet me heshtjen e dënimit të akteve banditeske të forcave terroriste serbo-ruse në veri. Madje dikush u jep të drejtë serbëve të ngrejnë barrikada. Duhet të jesh idiot, qorr e shurdhë të mos kuptosh se pas “të drejtës serbe të barrikadave qëndron e drejta tjetër po serbe e ndarjes së territorit të Kosovës”!

Por, a do të jetë dizavantazh deri në fund fakti që kryeministri Kurti e kundërshton fort këtë projekt?! Duhet të presim për ta parë se si do të shkojnë zhvillimet dhe dialogu Kosovë-Serbi. Asgjë nuk është statike! Asgjë nuk është më si më parë! Gjithçka është e hapur! Varet se kush do ta nënshkruajë ndarjen e Kosovës, qeveria apo shoqëria civile dhe shoqatat e biznesit!

Varet edhe sa do të rezistojë gjithashtu qeveria dhe se çfarë pozicioni do të mbajë opozita e politika! Sa për Shqipërinë, Prishtina duhet ta llogarisë atë jo si mbështetje e ndihmë, por si një gur të madh në mes të rrugës!

Story i mëparshëm

Balla nga Fieri: Demokratët duhet ta kuptojnë që mos t’i shkojnë më mbrapa vulëhumburit Sali Berisha

Story i radhës

Kamionë e blinda të KFOR-it nisen në drejtim të Mitrovicës: A po largohen barrikadat?

Të fundit nga