“Autorët të pacënuar, hedhin kocka apo koka turku”, Berisha: Ilir Beqja me mikun biznesmen udhëtuan mbi dhimbjen dhe kufomat

min lexim

Ish-kryeministri Sali Berisha teksa u ndal gjerësisht te koncesioni i sterilizimit, foli për koka turku.

Në konferencën e përjavshme, Berisha tha se Beqja me mikun e tij biznesmen udhëtuan mbi dhimbjen dhe kufomat, pasi kur ishte kërkesa e madhe për operacione, nuk kryheshin.

“Opozita dhe PD kanë mbajtur qëndrime. Zonja Albana Vokshi, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Shëndetësisë, e ka thirrur Beqajn në komision. Vetë ajo ka dëshmuar në prokurorinë e Tiranës. Vetë ajo në vitin 2019, i ka kërkuar me shkresë Ministrisë së Shëndetësisë, kontratat dhe të dhënat mbi koncesionet. Cila ka qenë përgjigja e Manastirliut? Njëherë në një shkresë tha se e ka hetuesia dhe nuk e japim. Dhe kur hetuesia e mbylli paqësisht dhe në mënyrën më të papërgjegjeshme, prokuroria deklaroi se kontrata e sterilizimit është në përputhje me ligjin. Pas kësaj u kërkuan sërish të dhëna, Manastirliu tha se nuk ua japin se këto janë sekret tregtar. Këto janë të gjitha të publikuara.

Me këtë rast, unë u drejtohem edhe njëherë qytetarëve shqiptarë. Siç e shihni, kjo organizatë kriminale në pushtet ka kryer vjedhjet më të paimagjinueshme ndaj taksave tuaja, të ardhurave tuaja, pronave tuaja.

Sepse pronat publike janë pronat e qytetarëve, nuk janë të pushtetarëve. Cilido që pret se do ketë një hetim, se drejtësia do bëhet jashtë regjisë, mashtron veten. Kemi të bëjmë me një drejtësi, totalisht me regji. Ndaj dhe duhet të ngrihemi, sepse në dy vjedhjet e shekullit, autorët kryesore të tyre, qëndrojnë të pacenuar.

Qëndrojnë të sigurt dhe hedhin kocka apo koka turku në mënyrë që t’u mashtrojnë. Ndaj dhe të dashur qytetarë dhe qytetare, asnjë popull nuk do të toleronte afera të tilla, mega-afera të tilla vjedhjeje dhe shpërdorimi. Është në dorën tonë të rivendosim ligjin, shtetin ligjor duke larguar këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama.”, tha Berisha.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Përdoruesit e Teams mund të transmetojnë live duke luajtur lojëra gjatë video thirrjeve

Story i radhës

Rashiq komenton dorëheqjen e policëve serbë, kjo është arsyeja

Të fundit nga