Atletja olimpike bjelloruse thotë se përballet me kërcënime në atdhe

Atletja olimpike bjelloruse Krystsina Tsimanouskaya tha të martën se siguria është përparësia e saj kryesore dhe kërkoi strehim në Evropë, pasi u përball me kërcënim nga zyrtarët në Bjellorusi.

“Ata ma bënë të qartë se kur të kthehesha në atdhe, patjetër do të përballesha me një formë ndëshkimi,” tha atletja në një intervistë për agjencinë The Associated Press. “Pata gjithashtu sugjerime të nënkuptuara, se do të më prisnin më shumë ndëshkime”.

24-vjeçarja tha se dëshiron të vazhdojë karrierën e saj, me plane për të konkurruar në të paktën dy lojëra të tjera olimpike. “Tani për tani, dua thjesht të mbërrij e sigurtë në Evropë … të takohem me njerëz që më kanë ndihmuar dhe të marr një vendim çfarë të bëj më tej,” tha atletja.

Autoritetet polake i dhanë një vizë për të kërkuar azil politik të hënën, pasi ajo tha se zyrtarët e ekipit të saj po përpiqeshin ta detyronin të kthehej në Bjellorusi kundër dëshirës së saj.

Tsimanouskaya u tha zyrtarëve në Tokio se ishte e shqetësuar për sigurinë e saj në Bjellorusi nga qeveria autokratike e Presidentit Alexander Lukashenko.

Një grup aktivistësh thanë se i kishin blerë Tsimanouskayas një biletë avioni për një fluturim të mërkurën në Varshavë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shkroi në Twitter të hënën vonë se qeveria e Lukashenkos po përpiqej të “kryente një akt tjetër të shtypjes së disidentëve” duke e detyruar atleten Tsimanouskaya të largohej nga Tokio “thjesht pasi ushtroi të drejtën e fjalës së lirë”.

“Veprime të tilla shkelin frymën e lojrave olimpike, janë një fyerje ndaj të drejtave themelore dhe nuk mund të tolerohen,” shkroi sekretari Blinken.

Drama politike ndodhi pasi Tsimanouskaya kritikoi mënyrën sesi zyrtarët bjellorusë po menaxhonin ekipin, duke provokuar një reagim të ashpër në mediat shtetërore në Bjellorusi, ku qeveria shpesh godet zërat kritikë.

Komiteti Olimpik Kombëtar i Bjellorusisë drejtohet për më shumë se 25 vjet nga Lukashenko dhe djali i tij, Viktor.

Në llogarinë e saj në Instagram, Tsimanouskaya tha se e kishin futur me zor në garën e stafetës 400 metra, edhe pse nuk kishte marrë pjesë kurrë në një garë të tillë.

Zyrtarët bjellorusë me sa duket e çuan atë në aeroportin e Tokios, por atletja nuk pranoi të hipte në një avion për në Stamboll dhe iu drejtua policisë për ndihmë.

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

Britania kërkon të kriminalizojë migrimin e parregullt

Ngjarja e ardhëshme

Kylie Jenner pozon totalisht e zhveshur

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian