Assad kërkon lehtësim të sanksioneve amerikane në këmbim të lirimit të pengjeve

Udhëheqësi i regjimit sirian, Bashar al-Assad, raportohet se ka kërkuar heqjen e sanksioneve amerikane dhe tërheqjen e trupave nga Siria në këmbim të lirimit të dy amerikanëve që po mbahen peng, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke cituar një zyrtar libanez, revista Newsweek raportoi se drejtori i përgjithshëm i sigurisë libaneze, gjeneral major Abbas Ibrahim, të enjten e kaluar vizitoi Washingtonin ku informoi në lidhje me gazetarin amerikan, Austin Tice dhe punonjësin shëndetësor siriano-amerikan, Majd Kamalmaz.

Tice u zhduk në vitin 2012 përderisa mbulonte luftën në Siri, ndërsa psikoterapisti Kamalmaz besohet se është marrë peng nga forcat siriane pasi u ndalua në një pikë kontrolli në Damask në vitin 2017.

“Ibrahim takoi këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, në një diskutim për rreth tre orë, ku shpjegoi kërkesat siriane në kuadër të një negocimi për t’i dhënë fund pasigurisë rreth vendndodhjes së dy burrave, siç duket të mbajtur rob”, thuhet në raport. 

Sipas revistës amerikane, zyrtari libanez dhe një burim sirian i afërt me diskutimet konfirmuan se qeveria e regjimit sirian kërkon një marrëveshje me administratën e presidentit Donald Trump për heqjen e sanksioneve amerikane dhe tërheqje e trupave të vendosura në garnizonin amerikan Al-Tanf.

Lajmi vjen disa ditë pasi The Wall Stret Journal raportoi se Kash Patel, një zv/ndihmës i presidentit Trump dhe zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë në fushën e kundër terrorizmit, në fillim të këtij viti u takua me zyrtarë nga qeveria e regjimit sirian. 

Bisedimet e fshehta kishin për qëllim garantimin e lirimit të dy pengjeve, Tice dhe Kamalkaz.

Bisedimet e fundit para publikut midis Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarëve sirianë u zhvilluan në vitin 2010 në Damask. SHBA në vitin 2012 ndërpreu lidhjet me Sirinë për të protestuar shtypjen e udhëheqësit të regjimit, al-Assad, ndaj protestuesve që kërkonin fundin e regjimit të tij. 

Në muajin mars, Trump i shkroi një letër Assad-it ku propozoi “dialog të drejtpërdrejtë” për të kërkuar lirimin e gazetarit amerikan, Tice.



. .

Ngjarja paraprake

Ishte Live në një intervistë, reagimi i kryeministres kur Islanda u godit nga një tërmet

Ngjarja e ardhëshme

Gnabry, pozitiv me COVID-19

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian