Asnjë prej komunave s’ka nisur testimin PCR, pavarësisht paralajmërimeve të Zemajt

Që nga fillimi i pandemisë, këtë të enjte Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka pasur numrin më të madh të mostrave të marra në terren.

Në 711 ka shkuar numri i mostrave te marra. Por që në këto mostra vetëm 33 persona kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, gjata 24 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë të vdekur nga Covid-19, ndërsa janë shëruar 46 persona, raporton ktv.

E këtë të enjte, IKSHPK-ja ka pranuar edhe dy aparatura për kryerjen e testeve PCR nga OBSH-ja, duke rritur kështu kapacitetin e testimeve.

Por, përkundër paralajmërimeve të shumta të ministrit Zemaj se testimi PCR do të zgjerohet edhe në 7 qendrat rajonale të IKSHPK-së, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se ende nuk e di se kur do të nisë testimi PCR nëpër komuna, por që deri më tani janë blerë 6 aparatura dhe janë shkruar kontratat dhe se ato sipas kontratave do të sillen brenda një muaji.

“Sa u përket Qendrave Rajonale të Shëndetësisë Publike, edhe ato së shpejti do të pajisen me aparaturë komplete të PCR dhe teste për to, me që, përmes Grantit të Bankës Botërore (Projekti i Shëndetësisë Kosovare-PSHK) janë blerë 6 aparatura të tilla, për të cilat janë nënshkruar kontratat, pas procedurave të udhëhequra nga PSHK. Operatorët e kontraktuar e kanë të përcaktuar në kontratë që aparaturat t’i sjellin brenda një muaji. Koha deri në instalimin e aparaturave do të shërbejë për trajnimin e stafit shtesë dhe përgatitjen teknike të laboratorëve për punë me këtë shërbim të ri. Cila do të fillojë e para, mbetet të shihet, derisa kapacitetet po rriten për njëqind për qind”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Qendra rajonale e IKSHPK-së në Prizren pritet të jetë njëra ndër qendrat e para, e cila mund të nisë testimin PCR.

Drejtori i saj, Fadil Kryeziu, thotë se stafi që do të kryejë këto testime ka nisur të trajnohet për punën me aparatura.

“Edhe në takimin e fundit që kemi pas me ministrin është diskutuar se Prizreni duhet të jetë prioritet. Ne mbulojmë Suharekën, Malishevën, Mamushën dhe Dragashin me rreth 450 mijë banorë. Në fillim kemi pas vështirësi për krijimin e hapësirave por e kemi zgjidhur këtë dhe së shpejti do të nisim meremetimin e këtyre hapësirave ku do të vendosen aparaturat”, është shprehur ai.

Në qendrën rajonale të Institutit në Prizren merren vetëm mostrat për Covid-19, të cilat dërgohen në IKSHPK.

Në Kosovë deri më tani 638 persona kanë vdekur nga Covid-19, ndërsa mbi 15 mijë të tjerë janë infektuar. Ndërsa, mbi 10 mijë raste mbesin aktive.

Ngjarja paraprake

Ku gaboi Kosova sonte? – Tovërlani me kritika të ashpra: Luajtëm shumë dobët!

Ngjarja e ardhëshme

Tërmeti i 26 Nëntorit vijon me pasgoditje

të fundit nga