Asgjë e re prej VMRO-së: Krijo situatë të nderë me fqinjët dhe fajëso të tjerët!

-VMRO-ja është partia e parë që donte të bëjë marrëveshje me Bullgarinë, ku nuk përmendej fare gjuha maqedonase, VMRO-ja ishte partia që shpiku antikuzimin për t’i acaruar grekët dhe për të treguar “sa e fortë” është qeveria ndaj grekëve dhe tash është po VMRO-ja që frymëzon situata të panevojshme, dhe pastaj fajin ua hedh atyre që duan t’i zgjidhin kontestet

/Editorial i portalit indeks.mk/

Kjo është filozofia politike e VMRO-DPMNE-së. Komiteti Ekzekutiv kësaj partie, mbrëmë paska sjellë do qëndrime, e midis tjerash, ka akuzuar edhe një herë se Marrëveshja për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë(si “vepër” e Qeverisë LSDM-BDI), në vend se të sjellë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim të ndërsjellë, “është një dru i kalbur që lind fruta të kalbuara”. Sepse, sipas kësaj partie, kurrë më parë nuk ka pasur kaq pasiguri në marrëdhëniet me Bullgarinë dhe edhe më keq, që politika bullgare e shantazhimit në mohimin e identitetit, gjuhës dhe popullit maqedonas, vazhdimisht po zgjerohet.

Nëse e marrim kallëp këtë vlerësim, duke parë disa tendenca, mund dhe ta merrnim si të saktë këtë vlerësim, sepse është e vërtetë se edhe në Bullgari ka forca dhe tendenca të tilla që edhe pas definimit të raporteve, nxjerrin “tema të reja”. Sepse, edhe atje bien e vijnë qeveri të reja pikërisht për shkak të presionit të forcave nacionaliste që e keqpërdorimin këtë temë.

Por, e vërteta nuk është krejtësisht e plotë, sepse, njësoj si atje, ka dhe këtu forca që i stërmadhojnë dhe manipulojnë me çështjet etnike e historike, e njëra ndër këto parti, që ka më së shumti “përvojë” është pikërisht VMRO-D{MNE-ja, që është sjellë midis  paradokseve që ajo vetë i krijoi si imazh të vetin, edhe për nga veprimi, edhe për nga ideologjia. Sepse, është paradoksale që partia e cila me vite akuzohej si bullgarofile, e cila ku haptas e ku fshehurazi propagonte një lloj afërsie të natyrshme me popullin bullgar, sot propagon të kundërtën, gjegjësisht, një rrezik irracional.

Është e vërtetë se ka pasur një kontest dekadësh midis shtetit bullgar komunist ndaj popullit maqedonas, por hapin e parë për t’i tejkaluar këto probleme, e ka bërë pikërisht qeveria e VMRO-DPMNE-së, edhe atë me një marrëveshje konkrete si kjo tash. Por, ndryshe nga ajo e VMRO-së, ku nuk përmendej gjuha maqedonase, kjo e reja, ia hap dyert e BE-së vendit tonë, ku populli maqedonas dhe gjuha maqedonase janë të pranuara, që është një arritje e madhe!

Një gjë që duhet thënë sa u përket këtyre qëndrimeve në kontinuitet nga VMRO-ja, është filozofia politike e krijimit të situatave me qëllim të acarimit të marrëdhënieve me fqinjët. Rasti më eklatant është projekti i njohur i antikuzimit dhe frymëzimi politik i shkencës së historisë që rrënjët e origjinës t’i kërkojnë brenda nate te maqedonasit antikë. Kjo gjë, gjithsesi, u bë me një qasje antihistorike, që një popull i ardhur në Ballkan me popujt tjerë të afërt sllavë, të pretendojë antikën e maqedonasve të vjetër për shkak të emrit të huazuar nga territori gjeografik(që nuk është gjë e panjohur). Ikja në antikë ishte për të ikur nga pretendimet e udhëheqësisë së VMRO-së nga fillimi i pluralizmit për afërsinë me bullgarët! Pra, mohim i vetvetes! Kjo, në anën tjetër, kishte efektin e dyfishtë: një, që t’i ofrojë populli maqedonas një iluzion me famën e Lekës së Madh, e në anën tjetër, të tregojë VMRO-në si mbrojtëse e kauzës maqedonase, me çka dhe fitonte zgjedhje pas zgjedhjesh!

Ndërkaq, efekti politik tjetër në dritën e kontestit të emrit me Greqinë, ishte acarimi edhe më i madh, që zgjidhjen e bënte të pamundur. Çdo opcion racional, që nuk do të cenonte identitetin, e që për dy dekada e gjysmë i ofronte ndërmjetësi Metju Nimic, ajo udhëheqësi e VMRO-së e shpallte si rrezik për identitetin. Siç  u pa me Marrëveshjen e Prespës, kurrfarë cenimi të identitetit nuk pati me ndërrimin e emrit e shtetit me ndajshtesën “e Veriut”!

Por, dështimin e tyre në raportet me fqinjët dhe pozita e re e opozitarëve, e bën nervoz liderin e ri dhe udhëheqësinë e VMRO-së, dhe nxjerrin tema dhe rreziqe që nuk janë ashtu si i trajtojnë ata. Në anën tjetër,  me ngritjen e tensioneve, ata në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekt, frymëzojnë anëtarësinë ose simpatizantë të tyre kundër klubeve bullgare që janë hapur me çka vazhdojnë t’i frymëzojnë edhe elementet nacionaliste bullgare këtu dhe në Bullgari që duan të tregojnë se Maqedonia është fqinji problematik.

Story i mëparshëm

Parashikoi tërmetin 3 ditë para se të ndodhte, kush është sudiuesi holandez. Çfarë deklaroi pas tragjedisë

Story i radhës

“A të pëlqen Melisa?”, kush e pyet Blastën

Të fundit nga