Asani: Guximi për të parandaluar të keqen- kryekauza jonë

Nga

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Jam shumë i lumtur që kolegia jonë, udhëheqësja e Departamentit për edukimin dhe hulumtimin e Holokaustit, Maja Susha, arriti ta kurorëzoj me sukses përgatitjen e librit të saj me një titull simbolik “Maqedonasit e drejtë midis kombeve”, me çka ajo po e hedh edhe një tullë në kështjellën e projekteve e synimeve tona përbashkëta.
Maja Susha përpos që ka realizuar një ëndërr të saj, ajo njëherësh ka prekur edhe disa prej tasteve më tingëlluese në tastaturën e disponimit tonë shpirtëror si Institut, për të nxjerrë sa më të artikuluar zërin e ndërgjegjes kundër të keqes.
Libri i saj është shprehje guximit për të shëruar plagët e së kaluarës, por edhe për të diagnostifikuar deformimet që mund të shfaqen në shoqërinë tonë. Gjeneratat e reja kanë nevojë për më shumë dritë në rrugëtimin e tyre. Ato kanë nevojë të edukohen në frymën e mirëkuptimit e tolerancës, prandaj ky libër është një manual praktik që do të shërbente si udhëzues i këtij edukimi.
Jo gjithmonë kurajoja e njerëzve matet me gatitshmërinë për të luftuar të keqen. Nganjëherë edhe pse nuk na mungon guximi, ndodhë që të tregohemi të vonuar në luftimin e së keqës, ose të kalkulojmë politikisht duke pasë për bazë efektet elektorale.
Pamjaftueshmëria për të reaguar në momentin e duhur me mjetet e duhura, gjithmonë ka prodhuar pasoja të cilat edhe sot kujtohen si një mirazh i një të kaluare plot trishtim.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk pati guxim të mjaftueshëm për ta parandaluar histerinë naziste që kishte si objektiv shfarosjen e popullatës hebreje. Sikur të dominonte ky guxim parandalues, ne sot do të flitnim për një realitet krejt tjetër dhe nuk do të kishte nevojë të shkruhet ky libër që po e promovojmë sot. Nuk do të kishte nevojë të bëjmë fjalë për librin e Maja Sushës në të cilin janë thurrur mijëra fate njerëzish tragjik, faji i vetëm i të cilëve ishte se pse i takonin një kombi të zgjuar që ishte target i nazistëve.
Në kohën kur po e promovojmë këtë libër, globi po përjeton trauma nga ajo çka po ndodhë aktualisht në Ukrainë. Atje po shohim dy skajet e një litari që po tërhiqet fuqishëm duke ngulfatur qafën e njerëzve të pafajshëm që janë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e bombardimeve dhe granatimeve ruse. Po shohim kolona njerëzish të zhvendosur dhe kjo na e kujton golgotën e popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose edhe një golgotë të më vonshme që ndodhi në fund të shek. të kaluar ku protagonistë ishin qindra mijëra kosovarë që po iknin nga shfarosja qe po ju kanosej.
Fatet e popujve kalojnë nëpër binarë të ndryshëm të historisë, por ato nganjëherë edhe kryqëzohen. Kështu ka ndodhur edhe me popujt tanë të cilët kishin ndjeshmëri për njëri tjetrin, ashtu siç ndodhi edhe me sakrificën sublime të banorëve të Shkupit për të shpëtuar ato familje hebreje që kishin arritur t’iu përvidheshin kolonave të deportimit që ndodhi para 79 viteve.
Edhe ky libër po vjen si një referencë e një kujtese historike, sepse vetëm duke ushtruar zejen e mos-harrimit, popujt arrijnë të ndërtojnë kulturën e tyre identitare. Një model i përkryer i kësaj kulture pa dyshim që vjen edhe nga populli hebre, për çka jemi dëshmitar edhe ne si Institut me vizitat tona studimore në Izrael në kërkim të kujtimeve të atyre që mbijetuan Holokastin. Ende i kam parasysh fytarat e atyre zonjave e zotërinjve të ngazëllyer teksa shprehnin gatishmërinë e tyre për të rrëfyer mbi atë se çka iu kishte ndodhur atyre dhe familjeve të tyre, të cilat s’i kishin pa kurrë më. Fryt i këtyre hulumtimeve janë disa botime të shoqëruar me film dokumentar, ku del në pah pasioni për të rrëfyer mbi përjetimet e të mbijetuarve dhe mbi bujarinë e atyre që rrezikuan veten për të ndihmuar tjetrin.
Instituti ynë përpos dimensionit hulumtues e shkencor, e ka në vetvete edhe dimensionin shpirtëror, që është një shkencë në vete, të cilën e kuptojnë vetëm ata që kanë vuajtur. Prandaj e konsideroj veten me fat që si drejtues i këtij Instituti, duke nxjerrë nga goja një sage të tërë rrëfimesh hebreje, arritëm të cysim simpatinë dhe admirimin e dhjetëra familjeve izraelite, të cilat tash më janë bërë pjesë e pandarë e universit human që Instituti ynë po e promovon në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Kjo, mbase, ka mjaftuar që dikush ta ndjek punën tonë dhe ne sot me mburrje e themi se jemi të nderuar që si Institut, që ka promovuar kulturën e tolerances midis njerëzve me etni, gjuhë e fe të ndryshme, të përfshihemi dy herë në Raportet e State Departmentit Amerikan mbi liritë fetare dhe tolerancën fetare. Shpresoj që edhe në të ardhmen nuk do të mungoj gatishmria jonë që të sjellim në vëmendjen e publikut edhe projekte e ide që do të ndikojnë në përafrimin e njerëzve.
Uroj që libri “Maqedonasit e drejtë midis kombeve” i autores Maja Susha të mos jetë i fundit, por fillimi i një veprimtarie të frytshme hulumtuese, që do t’i jepte një dimension edhe më kuptimplotë vet Departamentit për edukimin dhe hulumimin e Holokaustit në Institutin tonë, ku ajo aktualisht është udhëheqëse.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gerasimovski: Buxhetin komunal e trajtojmë si duhet, për përballimin më të lehtë të krizës ekonomike

Story i radhës

Sali: Ende herët për heqjen e maskave!

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish