Arsovska: Qyteti i Shkupit është mik i personave me autizëm

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, sot në Muzeun e Luftës Maqedonase mori pjesë në manifestimin për promovimin e projektit “Vende miqësore për autizëm”, organizuar nga Shoqata Shkencore e Maqedonisë për Autizëm.

– Qyteti i Shkupit vazhdimisht punon dhe mbështet projekte të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me spektër autizmi dhe familjeve të tyre. Ne mbështesim projekte për zhvillimin e aftësive për përgatitjen e fëmijëve me autizëm për në shkollë, për kryerjen e terapisë ndijore dhe trajtimin e fëmijëve me autizëm nga grupet sociale në nevojë, për trajtimin e hershëm si një faktor i rëndësishëm për përfshirjen më të mirë të fëmijëve me aftësi të kufizuara, si dhe për Qendrën për ndërhyrje të hershme. Projektet janë të rëndësishme dhe përfshijnë aplikimin e metodave shkencore në radhë të parë për edukim dhe zhvillim, si dhe trajtimin e fëmijëve me autizëm nga grupet sociale në nevojë. Fëmijëve u ofrohet terapia më moderne e dizajnuar individualisht për integrim ndijor, duke përfshirë këtu logopedinë dhe trajtimin special edukativ, i cili ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së këtyre fëmijëve – tha Arsovska në fjalimin e saj.

Koncepti “Vende miqësore për autizëm” u krijua për t’iu përgjigjur nevojave të personave me spektër autizmi. Ai është nga fusha e përfshirjes sociale dhe synon të sigurojë qasje më të madhe për njerëzit dhe fëmijët me autizëm në shoqëri.

Në promovimin e projektit “Vende miqësore për autizëm”, përveç anëtarëve të Shoqatës Shkencore të Maqedonisë për Autizëm, morën pjesë drejtorë dhe anëtarë të ekipeve profesionale të shkollave fillore, prindër të fëmijëve me autizëm dhe institucione që janë vende miqësore për personat me autizëm, si dhe organizata nga kultura, mbrojtja sociale, kujdesi shëndetësor.

Story i mëparshëm

Zaev nga biznes-forumi në Sarajevë: Duhet të bashkëpunojmë për të pasur sukses, çelësi është në partneritete dhe aleanca

Story i radhës

Miami dhe Phoenix – fitore bindëse

Të fundit nga