Arsenal vendos një rekord të ri pas fitores ndaj Brighton

min lexim

Arsenal shënoi një tjetër rekord nën drejtimin e Mikel Artetas, pas fitores me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Brightonit.

Arsenal mbeten të pamposhtur në 13 ndeshje radhazi në të gjitha garat si vendas. Ata tani kanë fituar 11 ndeshje në “Emirates” dhe kanë barazuar në dy të tjera.

Kjo është seria më e gjatë e tyre pa humbje në shtëpi, që kur Arteta mori drejtimin e ekipit dhe kjo është seria më e mirë në pesë vitet e fundit.

Përkundër faktit se ata dominuan përgjatë 90 minutave në ndeshjen ndaj Brightonit me dy golat e shënuar nga Gabriel Jesus dhe Kai Havertz, “Topçinjtë” shpërdoruan disa raste të mira shënimi.

Sidoqoftë, kjo fitore bëri që ata të marrin kreun e tabelës përkohësisht, me 39 pikë të tubuara pas 17 ndeshjeve të zhvilluara.

Këtë sezon, të besuarit e Artetas kanë fituar të tri ndeshjet si vendas në Ligën e Kampionëve në fazën e grupeve dhe kanë regjistruar shtatë fitore në nëntë ndeshje si vendas në Ligën Premier.

Humbja e tyre e fundit në “Emirates” daton në muajin maj të këtij viti dhe kishte ardhur pikërisht nga Brighton.

Xhiron e radhës, Arsenali do të luajë në udhëtim ndaj Liverpoolit, në atë që mund të konsiderohet si “luftë” për vendin e parë në tabelë.

Story i mëparshëm

Shantazhuan të miturën se do t’ia publikonin fotografitë eksplicite, arrestohen katër tetovarë

Story i radhës

Burimet egjiptiane: Izraeli dhe Hamasi të hapur për armëpushim, por mosmarrëveshjet vazhdojnë

Të fundit nga