Aranitasi nga BERZH për MIA-n: Rimëkëmbja dhe rritja do të varen edhe nga përparimi i reformave të brendshme ekonomike

Shkup, 1 tetor 2020 (MIA) – Shpejtësia me të cilën do të ketë rimëkëmbje të ekonomisë dhe rritje do të varet nga rimëkëmbja e ekonomive në vendet e eurozonës, por edhe nga përparimi i reformave të brendshme ekonomike, të cilat do të rrisnin nivelin dhe cilësinë e investimeve publike dhe do të përmirësojnë cilësinë e arsimit për të zvogëluar nivelin joadekuat të aftësive në tregun e punës, tha në një intervistë me MIA-n Andi Aranitasi, përfaqësues i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Sipas parashikimeve më të fundit të BERZH, siç u tha nga Aranitasi, do të ketë një rënie të PBB-së në vend me 5 për qind këtë vit dhe rritje me 3 për qind vitin e ardhshëm, e cila është e ngjashme me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, Evropën Qendrore dhe Lindore me bazë industriale. Pas rritjes me pothuajse zero për qind (0.2%) në tremujorin e parë, PBB ra me gati 13% (-12.7%) në tremujorin e dytë, që do të thoshte se kishte ndërprerje të mëdha në ekonomi, përmes një ulje të konsiderueshme të konsumit privat , investimeve, eksportet dhe importet, thekson Aranitasi.

Ai nuk pret që falimentimi i Bankës Eurostandard të ndikojë ndjeshëm në shëndetin e sektorit bankar, por thekson se mund të presim një rritje të kredive  jofunksionale pasi të skadojnë afatet e favorshme të ripagimit.

“Ne do të vazhdojmë mbështejen, përmes investimeve dhe politikave, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të reformave dhe afrimit me BE-në deri në anëtarësimin e tyre. “Maqedonia e Veriut si një vend kandidat ka një rëndsi të madhe për ne dhe aktualisht po zhvillojmë diskutime me qeverinë në lidhje me përfshirjen tonë më të madhe në vend,” tha Aranitasi.

Ai thekson se strategjia e BERZH-it për Maqedoninë e Veriut në periudhën 2019-2024 parashikon të fokusohet në tre prioritete: rritjen e konkurrencës së sektorit privat, rritjen e integrimit rajonal dhe lidhjes përmes një infrastrukture më të mirë, dhe mbështetjen për kalimin në energjinë e gjelbër përmes një përzierje më të qëndrueshme të energjisë dhe efikasitet më të mirë të burimeve.

“Ne kemi investuar mbi 160 milionë euro në vitin 2019 dhe rreth 45 milionë euro gjatë vitit 2020. Ne do të sigurojmë më shumë fonde deri në fund të vitit dhe, sipas parashikimeve, një mesatare prej rreth 150-200 milionë euro do të sigurohet në bazë vjetore gjatë periudhës së mbuluar nga strategjia”, njoftoi Aranitasi.

Vijon intervista e plotë me përfaqësuesin e BERZH-it Andi Aranitasi:

– Parashikimet më të fundit makroekonomike të BERZH-it parashikuan një rënie prej 3.5 për qind të PBB-së këtë vit në Maqedoninë e Veriut si rezultat i pandemisë së koronavirusit, rimëkëmbje dhe rritje prej 5.5 për qind për vitin e ardhshëm, dhe në aspektin e efektit afatshkurtër vlerësuan pasojat si të moderuara. A ka ndryshime në parashikimet dhe vlerësimet tuaja, çfarë tregojnë ato dhe mbi çfarë bazohen?

Sipas parashikimeve tona, do të ketë një rënie të PBB-së me 5 për qind këtë vit dhe një rritje prej 3 për qind vitin e ardhshëm, e cila është e ngjashme me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, Evropën Qendrore dhe Lindore me një bazë industriale. Pas rritjes me pothuajse zero për qind (0.2%) në tremujorin e parë, PBB ra me gati 13% (-12.7%) në tremujorin e dytë, që nënkuptonte se kishte ndërprerje të mëdha në ekonomi, përmes një ulje të konsiderueshme të konsumit privat, investimeve, eksportit dhe importit.

Në parashikimet tona të majit, supozojmë se nuk do të ketë valë të dytë të Kovid, e cila do të lejojë që ekonomia globale të rimëkëmbet shpejt. Kjo gjithashtu do të siguronte një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë maqedonase. Projeksioni ynë i ri merr parasysh faktin që pandemia është kthyer në disa vende dhe ne kemi më shumë të dhëna ekonomike që tregojnë shkallën e recesionit në gjysmën e parë të vitit.

– Cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm për gjendjen aktuale të ekonomisë maqedonase, si po i përgjigjemi krizës aktuale dhe cilat janë dobësitë kryesore për të cilat duhet të punojmë për një përgjigje më të mirë në kushte të vazhdimit të saj?

Ekonomia maqedonase po rimëkëmbet, nga një rritje me pothuajse zero për qind në 2017 dhe vitin e kaluar regjistroi një rritje prej 3.6 për qind, si rezultat i konsumit të fortë, investimeve dhe rritjes së eksportit. Rritja e fortë e eksporteve nënkuptonte që ekonomia u bë më konkurruese, por ai u prish nga recesioni në Evropën Perëndimore të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Shpejtësia e rimëkëmbjes dhe rritjes do të varet nga rimëkëmbja e ekonomive në vendet e eurozonës, por gjithashtu nga progresi i reformave të brendshme ekonomike, të cilat do të rrisnin nivelin dhe cilësinë e investimeve publike dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit, në mënyrë që të zvogëlohet niveli joadekuat i aftësive në tregun e punës.

– Qeveria ka zbatuar disa paketa të masave anti-krizë që synojnë mbështetjen e ekonomisë dhe qytetarëve dhe e fundit u njoftua në fundjavë. A mendoni se kjo është mbështetje e mjaftueshme dhe çfarë do t’i këshillonit autoriteteve veçanërisht për evidentimi e vedneve të humbura të punës?

Deri më sot, qeveria ka zbatuar ose shpallur katër paketa ekonomike për të zbutur efektet e krizës. Paketat përmbajnë masa gjithëpërfshirëse, duke përfshirë garancitë e huasë, kreditë e buta dhe mbështetjen për kompanitë për të paguar paga, grante, si dhe mbështetje shtesë për turizmin. Mbështetja u përqendrua në kategoritë më të prekura nga kriza.

Sipas një raporti të fundit nga BERZH-i dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës, ka një rënie të ndjeshme të orëve të punës në tremujorin e dytë të vitit, i cili ka potencialin për të rritur papunësinë në shumë sektorë. Raporti ofroi rekomandime për të mbështetur punëtorët, familjet dhe kompanitë. Si përgjigje, qeveria vendosi të zgjasë masat e të papunëve për të gjithë punëtorët, kontratat e punës të së cilëve skaduan midis 11 marsit dhe 30 prillit.

Në planin afatgjatë, është e rëndësishme të kthehet kërkesa nga jashtë, nga vendet anëtare të BE-së, të cilat janë partnerët kryesorë tregtarë të Maqedonisë së Veriut.

– Kjo krizë nuk e preku sektorin financiar. Ai  është i qëndrueshëm, sipas vlerësimeve të autoriteteve, përveç mbylljes së Bankës Eurostandard, e cila sipas tyre nuk është pasojë e krizës së koronës. Cili është vlerësimi juaj për gjendjen e sektorit bankar dhe a e mbështet ai mjaftueshëm ekonominë në këtë krizë?

Sektori bankar i vendit duket i mirëkapitalizuar (me një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit mbi 17%) dhe likuid. Ne nuk presim që falimentimi i Bankës Eurostandard, duke qenë se është një bankë e vogël, do të ndikojë ndjeshëm në shëndetin e sektorit bankar. Pozicioni ynë mbi situatën në sektorin bankar pasqyrohet në nënshkrimin e fundit të marrëveshjeve të reja me dy institucione të brendshme financiare, Shparkase dhe NLB, në vlerë prej 28 milionë eurosh. Ne gjithashtu kemi disa projekte në përgatitje e sipër me bankat e tjera vendase, të cilat presim të nënshkruhen së shpejti.

Shkalla e kredive me problem ose kredive jofunksionale është gjithashtu në rënie, por ne mund të presim një rritje pasi të skadojnë afatet e favorshme të ripagimit. Rritja e huasë bankare mbeti relativisht e lartë, mbi 6% në gusht dhe 8.2% në korrik.

– Bankat janë partnerët tuaj në shumë projekte që ju mbështesni në vend përmes programeve tuaja. Sa kompani kanë marrë mbështetje deri më tani si rezultat i këtij partneriteti dhe çfarë mund të pritet në periudhën tjetër në këtë drejtim?

Sigurisht, ne kemi bashkëpunim të ngushtë me disa banka vendase. Kjo është një pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë për të arritur sa më shumë huamarrës në sektorin real. Vitet e fundit ne jemi përqendruar në dy produkte kryesore. I pari është Programi i Mbështetjes së Konkurrencës, i cili ndihmon bizneset e vogla, përmes investimeve, të përmbushin standardet e BE-së në shëndetësi dhe në siguri, cilësinë e produkteve ose mbrojtjen e mjedisit. I dyti është Programi i Financimit të Ekonomisë së Gjelbër për të mbështetur investimet nga familjet lokale, organizatat e strehimit dhe ato që ofrojnë shërbime të energjisë efikase.

Këto instrumente mbështeten nga BE-ja, Qeveria austriake dhe Programi i Investimeve Multi-donatorë për Ballkanin Perëndimor. Ato u krijuan në nivelin rajonal për Ballkanin Perëndimor, por Maqedonia e Veriut është një nga vendet më të suksesshme në rajon për sa i përket përdorimit të tyre. Përmes bankave partnere, ne kemi vënë në dispozicion mbi 50 milionë euro përmes dy programeve së bashku. Deri më tani, më shumë se 140 projekte janë zbatuar me kompani të ndryshme përmes Programit të Mbështetjes së Konkurrencës, si dhe mbi 1300 nën-hua përmes Programit të Financimit të Ekonomisë së Gjelbër. Duke pasur parasysh kërkesën e lartë, ne po shqyrtojmë vazhdimin e të dy programeve në vend.

– Sa e ka ndryshuar kriza qasjen dhe strategjinë e përgjithshme të mbështetjes të ofruar nga BERZH-i?

Pandemia po ndikon tek vednet ku BERZH-i operon shumë më tepër se çdo ngjarje tjetër që kur banka u themelua gati 30 vjet më parë. Ne kemi reaguar në mënyrën e duhur, duke riorientuar investimet dhe politikat tona për të mbështetur klientët tanë gjatë krizës. Ne do të investojmë gjithsej 21 miliardë euro në periudhën 2020-2021, për të zbutur pasojat ekonomike.

Për më tepër, qasja jonë për financim i është përshtatur sfidave të reja. Për shembull, gati 4 miliardë euro nga kjo mbështetje do të caktohet për klientët e rregullt, përmes një procesi të përshpejtuar të miratimit, në mënyrë që të mundësojë shpërndarjen më të shpejtë të mbështetjes. Një pjesë tjetër e investimeve tona në vitet 2020-2021 do të jetë në formën e mbështetjes për infrastrukturën vitale, në mënyrë që të “mbajmë dritat e ndezura”, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës.

– Çfarë mbuloi deri më tani mbështetja e BERZH-it për vendin tonë dhe a mund të presim ndihmë shtesë për sektorin tonë publik dhe privat?

BERZH-i në Maqedoninë e Veriut deri më tani ka siguruar më shumë se 2 miliardë euro në mbi 144 projekte. Ne jemi huadhënësi më i madh multilateral për projektet e infrastrukturës, por jemi gjithashtu të përqendruar fuqimisht në sektorin privat. Strategjia jonë për Maqedoninë e Veriut në periudhën 2019-2024 thekson tre përparësi: rritjen e konkurrencës së sektorit privat, rritjen e integrimit rajonal dhe lidhjes përmes një infrastrukture më të mirë, si dhe mbështetjen e tranzicionit në energjinë e gjelbër përmes një kombinimi më të qëndrueshëm të energjisë dhe efikasitet më të mirë të burimeve .

Ne kemi investuar mbi 160 milionë euro në vitin 2019 dhe rreth 45 milionë euro gjatë vitit 2020. Ne do të sigurojmë më shumë fonde deri në fund të vitit, dhe sipas parashikimeve, do të sigurohen një mesatare prej rreth 150-200 milionë euro në vit, në periudhën e mbuluar nga strategjia.

– Investimet kapitale në kushte të tilla janë thelbësore për rritjen ekonomike. Nga projektet kryesore të infrastrukturës, ju jeni përfshirë në financimin e seksionit të dytë të hekurudhës për në Bullgari në Korridorin 8 dhe shteti po kërkon fonde për pjesën e mbetur të pazhvilluar të këtij korridori. A po mendoni t’i bashkoheni kësaj apo projekteve të tjera të infrastrukturës me mbështetje shtesë?

Ne sigurojmë 145 milionë euro për ndërtimin e seksionit të dytë (Faza II) të hekurudhës për në Bullgari brenda Korridorit VIII. Kjo është pjesa kryesore e angazhimeve tona të infrastrukturës në vend. Kërkesa është e lartë dhe BERZH-i është huadhënësi më i madh në Maqedoninë e Veriut në sektorin e infrastrukturës, me një portofol aktual prej mbi 700 milionë  euro. Kjo përfshin energjinë, hekurudhat, rrugët dhe projektet e qëndrueshme për sektorët e komunave. Projektet e infrastrukturës që lehtësojnë lidhjen dhe integrimin rajonal, duke u mundësuar vendeve të Ballkanit Perëndimor të lidhin më mirë dhe të promovojnë potencialin e tyre, janë fokusi i strategjisë së BERZH-it për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor.

Në Maqedoninë e Veriut ne jemi të përfshirë në zhvillimin e një numri të madh të projekteve kryesore energjetike dhe të infrastrukturës, të tilla si seksionet Kërçovë-Bukojçani dhe Shkup-Bllacë brenda Korridorit VIII, një sistem i ri për Sistemin e Transportit të Shpejtë të Autobusëve (“metroja e autobusëve”) për Shkupin, seksionet Kërçovë-Gostivar dhe Shën Nikollë -Veles brenda rrjetit të transmetimit të gazit, shpërndarjes së gazit bazuar në partneritetin publik-privat, ndërlidhja e gazit me Kosovën dhe financimi i projekteve fotovoltaike në Oslomej dhe në Manastir, janë pjesë e aktiviteteve tona.

– Në pritje të fillimit të negociatave të vendit për anëtarësimin në BE, a mund të llogarisim mbështetje financiare dhe teknike në këtë drejtim?

BERZH-i është një institucion financiar shumëpalësh me zemër evropiane dhe ne besojmë fuqimisht në integrimin evropian. Ne jemi shumë të lumtur që shumë nga vendet me të cilat ne punojmë janë tashmë vende anëtare të BE-së dhe ne duam që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë një ditë në Bashkimin Evropian. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të reformave, për afrim më të shpejtë në BE deri në pranimin e tyre. Maqedonia e Veriut si një vend kandidat ka një rëndsi të madhe për ne dhe aktualisht po zhvillojmë diskutime me qeverinë në lidhje me përfshirjen tonë më të madhe në vend”.

– Cili është mesazhi juaj për autoritetet dhe sektorin privat në kushtet e pasigurisë së mëtejshme nga kriza aktuale?

Mesazhi im është që BERZH-i ka qenë dhe do të jetë gjithmonë partneri dhe miku juaj. Kjo është një krizë e paprecedentë, por ne jemi këtu për t’ju mbështetur në mënyrë që ta kapërcejmë së bashku.

Lidija Velkovska

Suzi Koteva Stoimenova

foto: Frosina Naskovic

 

Ngjarja paraprake

Mbi 100 viktima në luftën mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Ngjarja e ardhëshme

AlternAtivA: Po dështon përsëri plani i fillimit të vitit shkollor

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian