Aprovohet marrëveshja për pranimin e fajësisë, dënohet me 700 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, Gjykata Themelore në Pejë, të mërkurën, e ka dënuar me 700 euro gjobë të pandehurin Mal Ukella, i cili nga Prokuroria Themelore në Pejë akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova, i pandehuri Ukella detyrohet që gjobën prej 700 euro ta paguaj brenda afatit 4 mujor, pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Të akuzuarit Ukella po ashtu iu konfiskua edhe pushka automatike “AK-47” e kalibrit 7.62×39 mm, së bashku me një karikator, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përmes këtij aktgjykimi, i njëjti u obligua edhe në pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 20 euro dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në shumë prej 50 euro.

Deri të shpallja e aktgjykimit erdhi pasi Gjykata Themelore në Pejë, në seancën e së mërkurës,  aprovoi marrëveshjen e pranimit të fajësisë ndërmjet të pandehurit, me mbrojtësin e tij të caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatin Besim Ahmetaj, në njërën anë dhe prokurorit Agron Galani në anën tjetër.

Te tre këta deklaruan para gjykatës se mbesin pranë marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, të nënshkruar me 11 gusht 2020, në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Kjo marrëveshje  parashikonte që gjykata të shqiptojë dënim me gjobë në lartësi nga 700 deri 800 euro, pasi i pandehuri të pranoj fajësinë për veprën penale, si dhe konfiskimin e armës.

Sipas aktakuzës së ngritur me 19 gusht 2020, Mal Ukella, po akuzohet se me 10 prill 2020, në Pejë, në mënyrë të pa autorizuar  dhe në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1 të Ligjit për Armë, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll të një pushkë automatike “AK-47” të kalibrit 7.62×39 mm, pa numër serik, së bashku me një karikator, nga e cila armë më 9 prill 2019, gjersa ishin në Bjeshkët e Lumbardhit, duke festuar ditëlindjen e shokut të tij D.G., në shenjë gëzimi ka shkrepur disa herë në ajër, për çka policia me 10 prill 2020 shkon në bastisje tek i pandehuri dhe ky i fundit e dorëzon armën.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. 

Ngjarja paraprake

Akuzë e fortë nga Spanja

Ngjarja e ardhëshme

Shtetasja e Belgjikës akuzohet për falsifikim të testit PCR

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian