Antihistoria dhe lista e padorëzuar e Xhafer Devës

 Kohët e fundit u trash muhabeti rreth investimeve dhe fillimit të punëve e pastaj ndërprerjes së tyre për restaurimin e shtëpisë së personazhit historik Xhafer Deva në qytetin e Mitrovicës.

Nga diskutimet tona lokaliste ku niveli i analizës u varfërua duke ngelur vetëm brenda optikës bardh e zi, fjala shkoi e ra në vesh të ambasadorit të nderuar të Republikës së Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde si dhe eurodeputetes Viola von Cramon-Taubadel e cila po ashtu është gjermane.

Përfaqësuesit e interesave të Gjermanisë, të painformuar mjaftueshëm si dhe të dezinformuar rreth rolit historik të ministrit të punëve të brendshme të Shqipërisë etnike gjatë pushtimit gjerman në luftën e dytë botërore u shprehën edhe ata bardhezi për të mos thënë zi e më zi duke kritikuar vendimin e Ministrisë së Kulturës së Kosovës për ndarjen e fondit për restaurim!

Gjatë kohës kur Xhafer Deva ishte ministër i punëve të brendshme të Shqipërisë, në Gjermani hebrenjtë mund të gjendeshin ende vetëm në kampet e përqendrimit kurse Nedic në Serbi nuk iu lente askund mbi tokë vend për të jetuar.

Ju që e njihni mund ti tregoni edhe një herë zonjës eurodeputete Cramon, se letrën që ia ka shkruar një serbe për të nxitur reagimin e saj, do të kishte qenë mirë sikur të informohej e të kuptonte më mirë të kundërtën duke u interesuar për raprezaljet e nazistëve serbë kundër hebrenjve ne të njëjtën kohë kur ata në Shqipërinë e Rexhep Mitrovicës dhe Xhafer Devës kishin gjetur shpëtimin nga Shoah.

Historia nuk rren edhe kur historianët gënjejnë!

Sot në kohën kur demokracitë janë të luhatura midis liberalizmit të tepruar dhe autokracive të maskuara, sikur harrohet se në një periudhë të vlefshme për studim historik jo pak italianë thonë se në Itali dikur të gjithë ishin fashista sepse pjacat e qyteteve italiane stërmbusheshin me miliona njerëz kur iu fliste Benito Musolini e po ashtu edhe në Gjermani miliona gjermanë e ngitnin dorën lart në nderim të Furerit të tyre.

Në kohën e pushtimit nga ana e Italisë fashiste, Shqipëria strehoi dhe fshehu shumë hebrenj dhe kjo duke iu falënderuar Burrnisë që tregoi Mustafa Kruja kurse pas tij në kohën e pushtimit nazist gjerman, Xhafer Deva nuk e shkeli Besën shqiptare dhe nuk i dorëzoi te autoritetet gjermane listat me emrat e hebrejve dhe vendndodhjen e tyre.

Gjermanët patën një Oskar Schindler i cili ishte personazh i vërtetë që diti të bashkonte bamirësinë e lindur dhe interesin për tu bërë industrialist i suksesshëm dhe megjithëse ishte anëtar i partisë naziste dhe pjesëtar i shërbimit sekret nazist, ia doli t’ua shpëtojë jetën mbi njëmijë hebrenjve duke i punësuar në fabrikën e tij.

Pas luftës ai iku nga Gjermania për të shpëtuar lëkurën e vet duke e ditur se ishte anëtar i partisë naziste por meqenëse Gjermania ka kryer në kohën e duhur procesin e rivlerësimit të fazave të historisë bashkëkohore të saj edhe pse u bë një gjyq në mungesë ndaj Schindlerit në vitin 1946 kur ndodhej në arrati në Argjentinë. Schindler u kthye në atdhe në vitin 1958 kur edhe u sqarua me autoritetet gjermane veprimtaria e tij dhe në vitin 1965 ai u nderua me Kryqin për Merita të klasit të parë të Republikës Gjermane për shpëtimin e qindra jetëve.

Me 18 korrik 1967 komisioni izraelian Yad Vashem vendosi ti njihte ish nazistit gjerman Oskar Schindlerit titullin mirënjohës “I drejtë midis kombeve” dhe ky vendim u konfirmua me 24 qershor 1993 kur iu dha i njëjti edhe  gruas së tij Emilie Schindler.

Ne shqiptarët nuk kemi gjetur ende momentin e saktë për (ri) vlerësimin historik të personazheve dhe kontekstit kohor e rrethanor. Të kishim qenë real e të guximshëm ndoshta edhe Xhaferi i ynë nacionalist e i Besës sot do të ishte i mirënjohur nga shteti i Izraelit sepse ai nuk i dorëzoi ebrejtë te Gestapo.

Ai e dinte se shkelja e Besës shqiptare se do ti mbronte ebrejtë do ta eliminonte si njeri dhe do t’ia humbiste dinjitetin dhe integritetin moral dhe autoritativ.

Xhafer Deva është edhe sot personazh aktiv i Antihistorisë së ditëve tona ku ish-fëmijët e komunizmit si dhe ish nxënësit e pansllavizmit dhe internacionalizmit proletar sovjetik po gjuajnë dru e gurë mbi atë që me çmimin edhe të jetës së vet diti të rezistojë humanisht e mos ti dorëzojë hebrejtë duke i shpëtuar nga eliminonin fizik që mund ti priste në koncllogoret naziste.

Mbetet edhe pak kohë që historinë ta shkruajnë historianët e jo historianët dhe të bëhet analizë e saktë kohës, regjimeve dhe figurave historike të denja për interes kombëtar dhe ndërkombëtar.

Më mirë për ne dhe për ata që kanë punë me shqiptarët.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gruaja e Ilir Shaqirit rrëfen “sekretin” që zbuloi në BBV për burrin e saj: Mendoja dhe prisja që…

Story i radhës

Bashkimi fiton derbin lokal ndaj Prizrenit 16

Të fundit nga