Angela Martini rrëfehet për “Blick”: Jeta ime si nënë dhe avantazhet e lindjes së bebit nga një grua tjetër

Jeta e Angela Martinit ka ndryshuar shumë muajt e fundit, veçanërisht kur ajo dhe Dragos u bënë prindër të një djali që e quajtën Kyree, i ardhur në jetë më 2 dhjetor 2021 prej një nëne surrogate në Dallas, SHBA.

Në një intervistë për gazetën më të madhe në Zvicër, “Blick”, Angela ka rrëfyer gjithë ndjesitë e saj për gjithçka ka ndodhur këta muaj, prej kohës kur mori vendimin të bëhej nënë, e deri tani që të voglin e ka në krahë.

“Ndihem e përmbushur dhe kam nevojë të jap shumë dashuri. Kur ai erdhi në jetë ndjeva një lidhje të fortë që nuk di si ta shpjegoj me fjalë”, u shpreh Angela.

Ndërsa, përsa i përket ndryshimit që ka pësuar rutina e modeles, ajo rrëfen: “Së fundmi gjithçka ishte në fokus të gjetjes së mënyrës për të kombinuar mëmësinë me punën dhe aktivitete të tjera të jetës. Mendoj se e kam gjetur balancën”.

Kur e pyetën për ardhjen në jetë të fëmijëve të tjerë, Angela i lë mundësitë të hapura, por një gjë është e sigurt, Kyree do jetë qytetar i botës.

“Bazuar në vendet ku ne jetojmë dhe udhëtojmë, ai me shumë mundësi do flasë disa gjuhë dhe do jetë multikultural”, ka thënë Martini. Modelja ka pranuar se aktualisht në shtëpi fliten 5 gjuhë dhe ky sipas saj është avantazh.

Po vendimi për ta sjellë në jetë në mënyrën jo dhe aq tradicionale? “Për shumë arsye personale, vendosëm që fëmija të vinte në jetë nga një nënë surrogate. E di që nuk është një procedurë e zakontë në Europë, në terma legal dhe kulturorë, pasi është e ndaluar në Zvicër dhe Itali”, tregoi Angela.

Por kjo metodë, me gjithë ndihmën e shkencës, e ka ndihmuar shumë modelen dhe bashkëshortin e saj. “Ne mund të zgjidhnim seksin e fëmijës dhe patëm mundësinë të bëjmë bashkë vezët dhe spermën tonë më të shëndetshme duke eleminuar alergjitë, sëmundjet autoimune, riskun për kancer e shumë të tjera. Po ashtu kemi përcaktuar kohën e fillimit të shtatzënisë dhe fundin e saj”, tha më tej Martini.

Përsa i përket raportit me nënën që mbajti foshnjën, modelja tregoi se kanë folur bashkë çdo ditë, kanë shkuar në takime me mjekun dhe ajo vetë ka qenë në kontroll të shëndetit të foshnjës gjithmonë. Së fundmi u bënë edhe mikesha. Ndërsa lindja siç e ka përshkruar Angela “ishte shumë emocionuese dhe e mrekullueshme”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Raporti i OKB-së: Koreja e Veriut financon programin e armëve të saj me kriptovaluta të vjedhura

Story i radhës

​Kryeziu kryen lëshimin e parë në Lojërat Olimpike Dimërore

Të fundit nga