Anëtarët e rinj të Kushtetueses, Meta: Mos u bëni vegla politike, do ishte në turpin tuaj

Mazhoranca ka tentuar të kapë të gjitha institucionet në vend. Kjo nuk është një akuzë, por fakt.

Kështu është shprehur presidenti I Republikës Ilir Meta gjatë intervistës së tij për Ora News.

Sipas presidentit, nëse anëtarët e zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese do të bëheshin vegla politike, kjo do të ishte në turpin e tyre.

Pjesë nga intervista:

Ju thoni se mazhoranca ka tentuar të kapë të gjitha institucionet në vend?

Presidenti Meta: Ky është fakt. Nuk kemi të bëjmë me një akuzë, kemi të bëjmë me fakte dhe me prova.

Dhe referuar kësaj a mendoni se anëtarët e zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese do të justifikojnë me paanshmërinë e tyre të gjitha situatat e diskutueshme politike dhe çështje teje të rëndësishme?

Presidenti Meta: Unë i inkurajoj që të bëjnë këtë gjë dhe asgjë tjetër, sepse do të ishte në nderin dhe dinjitetin e tyre për të demonstruar integritet. Ashtu sikurse do të ishte në turpin e tyre që të bëheshin vegla politike, vegla partiake apo të grupeve të interesave që dëmtojnë një interes kombëtar, një interes publik. Ata janë betuar me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe shpresoj që ky të ketë qenë një betim i sinqertë, të cilin në fund fare do ta konfirmojë koha.

Zoti President, sipas ndryshimit të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, në një çështje nuk arrihet numri prej 5 votash, kërkesa do të konsiderohet e rrëzuar edhe pse nuk arrihet të merret një vendim. Sipas kësaj,  a mendoni që fakti i ndarjes së madhe mes jush dhe mazhorancës, nëpërmjet parlamentit, do të ndikohet apo do të përdoret si mekanizëm ligjor, për rrëzimin e shumë kërkesave për çështje tepër të rëndësishme, pa pasur një vendim?

Presidenti Meta: Prandaj unë nuk kam qenë entuziast për të thënë që Gjykata Kushtetuese është funksionale. Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale, kur ajo të ketë 9 anëtarë dhe të jetë në gjendje, që jo vetëm të marrë vendime, por të marrë vendime të drejta në interes të popullit shqiptar dhe të qytetarëve shqiptarë.

Gjykata Kushtetuese thamë që do të jetë e plotë pasi të plotësohet me 9 anëtarët e saj. Por dhe me tre anëtarë që zgjedh Gjykata e Lartë. Ndërkohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor duket sikur nuk ka pasur angazhim serioz, madje duket sikur nuk do të ngrihet Gjykata e Lartë.

Atëherë Ju, si Kryetar i Shtetit, si e shikoni pozitën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe bllokimin e pashpjegueshëm për ngritjen e Gjykatës së Lartë?

Presidenti Meta: Besoj se Ju, jeni në dijeni të komunikimeve të mia zyrtare të bëra dhe publike, jo vetëm për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në mënyrë të vazhdueshme, për t’i dhënë fund vonesave për çështjen e kandidaturave, për vakancat dhe për renditjen, por, në mënyrë të vazhdueshme komunikimet e mia kanë qenë zyrtare edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor, edhe për çështjen e Gjykatës së Lartë, me qëllim bërjen e saj funksionale sa më parë.

Pasi në radhë të parë Shqipëria e ka të domosdoshme këtë gjykatë, që ta ketë sa më shpejt funksionale, se janë me dhjetëra e mijëra dosje që presin për t’u shqyrtuar. Dhe kjo  është një kosto shumë e madhe për vendin tonë, për qytetarët, për ekonominë tonë.

Dhe së dyti, sepse patjetër që një e treta e Gjykatës Kushtetuese, do të zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe kjo padyshim  e bën funksionalitetin e Gjykatës së Lartë edhe më të rëndësishëm, edhe më emergjente.

Nëse do të vijojë i njëjti proces vonese dhe ngërçi të krijuar, a do të duhet që të nxirren përgjegjësitë e Këshillit të Lartë Gjyqësor? Çfarë hapash do të ndërmerrni Ju më pas, brenda kompetencave si garant i Kushtetutës?

Presidenti Meta: Unë kam bërë dhe do të bëjë të gjitha hapat e duhur për t’i nxitur të gjitha institucionet të mos ndikohen nga politika, të mos bëhen pjesë e lojërave të saj për zvarritjen e krijimit të institucioneve të reja, në mënyrë kushtetuese dhe në mënyrë të ligjshme.

Ngjarja paraprake

Afganistani është vendi më vdekjeprurës për fëmijët në botë

Ngjarja e ardhëshme

Festa e Vitit të Ri në familjen e Shyhrete Behlulit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian