Aliyev: Turqia duhet të bashkë-kryesojë Grupin e Minskut

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, sot bëri thirrje që Turqia të përfshihet në procesin për të zgjidhur konfliktin e vazhdueshëm me Armeninë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për Haber Global TV, presidenti Aliyev komentoi mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Malësisë së Karabakut, armëpushimin humanitar midis Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe përfshirjen e mundshme të Turqisë në procesin e zgjidhjes midis dy vendeve.

Aliyev argumentoi se disa anëtarë të Grupit të Minskut në kuadër të OSBE-së ishin gjeografikisht shumë larg rajonit dhe se ndikimi i diasporës armene në bashkë-kryesuesit e grupit: Rusisë, SHBA-së dhe Francës, thjesht nuk ishte e drejtë, duke shtuar se bisedimet disa dekadëshe nuk kishin dhënë asnjë fryt për Azerbajxhanin.

Duke vënë në dukje se Turqia është tashmë një anëtare e Grupit të Minskut dhe qëndroi si një vend i pavarur i aftë të kontribuojë në zgjidhjen e konflikteve në të gjithë rajonin, pavarësisht ngurrimit të disa vendeve perëndimore për ta njohur këtë, ai përmendi rolin e Ankarasë në Siri dhe Libi si provë të argumentit të tij që Ankaraja mund të kontribuojë më mirë në zgjidhjen e çështjes nëse bëhet një bashkë-kryesuese e Grupit të Minskut.

Armenia, shtet “fashist”

Aliyev pohoi se ushtria armene shkeli armëpushimin humanitar të së shtunës në rajonin e okupuar të Malësisë së Karabakut dhe se ushtria azerbajxhanase iu kundërpërgjigj këtyre sulmeve. Armëpushimi në Moskë u miratua për shkak të shqetësimeve humanitare dhe nuk ofroi një zgjidhje të plotë të konfliktit, tha ai.

Sipas presidentit të Azerbajxhanit, forcat armene shënjestruan vendbanimet civile si Ganja, një nga provincat më të populluara të Azerbajxhanit, përmes një sulmi raketash që shkaktoi vdekje dhe plagosje të civilëve.

Sulmet armene ndaj civilëve brenda kufijve të Azerbajxhanit zbuluan ngjyrat e vërteta të Jerevanit, tha Aliyev, duke akuzuar Armeninë si një shtet të terrorit dhe fashizmit.

Për më tepër, ai vlerësoi se fushatat dezinformuese që synojnë të dëmtojnë reputacionin global të Azerbajxhanit do të dështojnë pasi teknologjia e sofistikuar e komunikimit në ditën e sotme reflekton atë që po ndodh në rajon për pjesën tjetër të botës.

Duke theksuar se ushtria azerbajxhanase kërkon të çlirojë territoret e saj që janë nën okupim, Aliyev më tej theksoi se konflikti do të përfundonte nëse trupat armene largohen nga rajonet e okupuara.

Konflikti në Malësinë e Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut ose Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Përleshjet e reja filluan kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar viktima.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tri dekada.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.



. .

Ngjarja paraprake

“Kombëtarja ka fituar 2 elementë të rinj, kemi shpresë për fitore”

Ngjarja e ardhëshme

Diona Fona së shpejti me këngë të re, në videoklip shfaqet atraktive

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian