Republikën e Maqedonisë së Veriut e konsideroj shtet partner, aleat e mik me synime të përbashkëta integruese në Bashkimin Evropian. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, në prezantimin e projektit të rrugës Prizren-Tetovë. Ai edhe një herë konfirmoi se vizita e tij në Shkup e Tetovë ditën e premte, ka qenë me ftesë të dy kryetarëve të dy komunave.
“E konsideroj Republikën e Maqedonisë së Veriut një shtet partner aleat dhe mik, ajo synon integrimin evropian ashtu si edhe ne, ata janë anëtar të NATO-s ne e kemi NATO-n këtu, kjo tregon se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera”, deklaroi Kurti.
Ai tha se ka qenë në Maqedoninë e Veriut me ftesë të kryetarit të Çairit dhe atij të Tetovës.
“Kemi kaluar shumë mirë, ato nuk kanë qenë takime dhe tubime kundër askujt, ndërsa marrëdhëniet e mira ndërmjet nesh nuk do të mund t’i dëmtojë askush, nuk i komentojë deklaratat e tjera, por shprehi gjithmonë vullnetin për bashkëpunim”, deklaroi Kurti.
Këto deklarata të kryeministrit të Kosovës pasuan një deklaratë që dha sot paradite presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, i cili deklarata e Kurtit në Shkup e Tetovë i konsideroi si shoviniste. Ai madje kishte vërejtje edhe për emërimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair, duke e konsideruar si vendim që bie ndesh me normat demokratike e ligjore.
Mirëpo menjëherë pas reagimit Pendarovskin, erdhi reagimi i kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili tha se rruga “Adem Demaçi” në Shkup i përmbushë të gjitha rregullat ligjore dhe është vendosur me shumicë votash në Kuvendin Komunal të Çairit. Ai thotë se kjo rrugë tashmë është edhe në gazetën zyrtare.