​AKP ka bërë shpallje publike për qiradhënien e 196 pronave shoqërore

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka hapur shpalljen publike për qiradhënie të aseteve atraktive në shumë komuna të Kosovës.

Gjithsej 196 prona do të lëshohen me qira si në vijim: në rajonin e Prishtinës 36 asete, në rajonin e Pejës 89, në rajonin e Prizrenit 59, në rajonin e Mitrovicës lëshohen me qira 4 asete dhe në rajonin e Gjilanit do të jepen me qira 8 asete.

Në rajonin e Prishtinës ofrohen asete tejet atraktive, nga të cilat 18 asete janë hapësira në hotelin Grand në qendër të Prishtinës, si restorante dhe taverna, hapësira për zyre, hapësira komerciale me sipërfaqe mbi 400m² etj.

Po ashtu, kjo shpallje përfshinë edhe depo dhe objekte administrative në qendër të Prishtinës dhe në Graçanicë, si dhe një depo të derivateve të naftës në Ferizaj. Në rrethinën e Prishtinës ofrohen për qiradhënie edhe disa parcela bujqësore në zonat kadastrale Cagllavicë, Graçanicë, Llapllasellë, Banullë dhe Bardhosh.

Në rajonin e Pejës ofrohen me qira hapësira për zyra, dyqane, ndërtesa administrative dhe parcela bujqësore me sipërfaqe të ndryshme nga 7 ari deri në mbi 7 hektarë në komunat Deçan, Klinë, Istog, Pejë dhe Gjakovë.

Në rajonin e Komunës se Prizrenit ka një numër më të madh të pronave që ofrohen për qiradhënie, konkretisht në komunat Suharekë, Rahovec dhe Malishevë ofrohen toka bujqësore me sipërfaqe të ndryshme deri në 9 hektarë, ndërsa në komunën e Prizrenit dhe Dragashit ofrohen lokale, depo dhe zyre afariste.

Në rajonin e Komunës së Gjilanit, në komunat Ferizaj, Gjilan, Kllokot, Viti dhe Kamenicë, lëshohen me qira asete atraktive, nga të cilat dy asete janë toka bujqësore me sipërfaqe afërsisht 4 dhe 8 hektarë, si dhe tokë, objekte, depo dhe pjesë të objekteve administrative.

Gjithashtu, edhe në rajonin e Mitrovicës ofrohen për qiradhënie toka bujqësore në komunën e Vushtrrisë me sipërfaqe nga 37 ari deri në mbi 4 hektarë.

Dorëzimi dhe hapja e ofertave dhe publikimi i çmimeve për ofertat që do të dorëzohen për këto prona mbahet me datë 04 Janar 2023, në zyrat rajonale respektive të AKP-së: Prishtinë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë dhe Prizren, nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në zarf të mbyllur për secilën njësi veç e veç, ndërsa zarfet do të hapen 15 minuta pas dorëzimit, pra në orën 12:15.

Ofertat përmes faksit ose postës elektronike nuk do të pranohen. Ofertat bëhen në mënyrë individuale për secilën njësi veç e veç dhe me zarf të mbyllur (një zarf – një ofertë për një njësi) dhe dorëzohen në Zyrën Rajonale respektive, ashtu siç është e theksuar në shpallje.

Për dorëzimin e ofertës duhet të përdoret Formulari për Dorëzimin e Ofertës, i cili mund të merret në Zyrën Rajonale respektive apo Zyrën Qendrore të AKP-së, ashtu siç thuhet edhe në shpallje, apo të shkarkohet nga linku www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,35.

Kriteri për përzgjedhjen e ofertuesit fitues të njësive përkatëse do të jetë çmimi më i lartë i ofruar.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Jacinda Ardern mësoi se ishte në serialin e Meghan dhe Harry ditën e publikimit të trailerit

Story i radhës

Regjistrimi 2021: Komuna me më së shumti banorë është Aerodromi, 205 vendbanime janë të zbrazura

Të fundit nga