Akar: Bisedimet Turqi-Rusi mbi qendrën e përbashkët në Karabak po ecin siç janë planifikuar

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka theksuar se bisedimet teknike midis delegacioneve ushtarake të vendit të tij dhe Rusisë mbi qendrën e përbashkët që do të formohet në Malësinë e Karabakut po vazhdojnë siç janë planifikuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Puna me rusët po vazhdon siç është planifikuar”, u tha Akar komandantëve të lartë në një video-konferencë.

Më 10 nëntor, Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Turqia dhe Rusia që atëherë nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të formuar një qendër të përbashkët për të monitoruar marrëveshjen e paqes. Ajo do të vendoset në territoret azerbajxhanase të çliruara nga pushtimi i Armenisë.

Lidhur me zhvillimet në Mesdheun Lindor, Akar tha se Turqia nuk është ajo që përshkallëzon tensionin në rajon dhe shtoi se Ankaraja gjithmonë përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Fatkeqësisht, fqinji ynë me kokëfortësi përmbahet nga bisedimet dhe takimet në lidhje me këtë çështje”, u shpreh Akar, duke shtuar se Greqia kërkon zgjidhje “në dyer të tjera”.

Akar theksoi se Athina, me këtë qëndrim, po bën gabim sepse problemet nuk mund të zgjidhen në një mënyrë të tillë.

“Ne do të mbajmë qëndrimin tonë parimor për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona dhe për të ruajtur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, tha ai.

Turqia në vazhdimësi ka kundërshtuar përpjekjet e Greqia për të shpallur një zonë ekonomike ekskluzive të bazuar në ishujt e vegjël pranë brigjeve turke, duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe.

Ankara po ashtu ka thënë se burimet e energjisë pranë ishullit të Qipros duhet të ndahen në mënyrë të drejtë midis Republikës Turke të Qipros Veriore dhe administratës Greke Qipriote të Qipros Jugore.



. .

Ngjarja paraprake

Reagon Bashkia e Tiranës: Familja e prekur nga tërmeti u dëmshpërblye me 3 milionë lekë dhe u strehua në kontejner

Ngjarja e ardhëshme

Pesë gjëra fantastike që bën truri kur je në gjumë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian