Ahmeti: 20 vjetori i dedikohet dy dekadave të ardhshme, kush është i përgaditur për këtë udhëtim, le të lidh rrypin e sigurisë

Bashkimi Demokratik për Integrim sot në Shkup ka shënuar 20 vjetorin e themelimit si subjekt politik, me të ftuar të shumtë nga të gjitha sferat në vend. Me këtë rast, kryetari i BDI-së z. Ali Ahmeti ka mbajtur fjalim rasti duke elaboruar gjithë këtë rrugëtim dy dekadësh me plot sukses.

Në vazhdim ju përcjellim fjalimin integral të kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti

Të nderuar të pranishem, motra dhe vëllezër

Të nderuara familje të dëshmorëve dhe veteran, i nderuari Kryeministër Kovaçevski, ish Kryeministër Zaev, kryetarë të partive politike, ministra, kryetar kuvendi dhe deputetë, kryetarë komunash, drejtorë dhe funksionarë, të nderuar ambasadorë, media, të dashur qytetarë.

Shumë të respektuar anëtarë të këshillave vendor, degëve, kryetarë të degëve, anëtarë të këshillit të përgjithshëm, forum i grave dhe forum rinor.

Mirë se erdhët në ditëlindjen jubilare të familjes tonë të përbashkët, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Si sot, 20 vite më parë, u bënë bashkë çlirimtar e liridashës, idealist e misionarë, paqëbërës e paqëdashës, intelektualë e atdhetarë për ta themeluar familjen tonë të përbashkët me themele të shëndosha e të qëndrueshme, Bashkimin Demokratik për Integrim.

Dy dekadave tona dje dhe pardje iu gëzuan me dhjetëra mijëra qytetarë në sheshet e Shkupit dhe të Tetovës, edhe atë me arsye të fortë e të shëndosh sepse kanë se për ç’farë të gëzohen e të festojnë.

Të gjithë bashkarisht i gëzohen:

PAQES,

pajtimit,

zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit,

barazisë dhe drejtësisë,

demokracisë koncensuale,

integrimit të brendshëm, rajonal dhe atij euroamerikan

si dhe të ardhmes, agjendës së blertë.

Paqa dhe Pajtimi në vendin tonë u arrit në bashkëpunim me partitë politike maqedonase nëpërmjet të marrjes së përgjegjësisë së përbashkët për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjen e pajtimit përfundimtar midis komuniteteve.

Pas paqës dhe pajtimit, punuam për BARAZINË e cila erdhi nëpërmjet simboleve kombëtare, gjuhës zyrtare, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, ndarjes teritoriale, universitetit, dhe jo vetëm USHT, por edhe UNT si rezultat i vullnetit, pajtimit dhe i reflektimit.

Barazia u avansua në DEMOKRACI KONSENSUALE e cila u arrit nëpërmjet shumicës së dyfishtë të Badinterit, dakordimit konsensual të buxhetit, vendimmarjes në Qeveri dhe Kuvend, parandalim të majorizimit dhe margjinalizimit, afirmimit të diskriminimit pozitiv, kandidatura të përbashkëta konsensuale për President, Kryetar Kuvendi dhe së fundmi edhe për Kryeministër të vendit tonë të përbashkët.

Këto hapa sollën edhe deri tek INTEGRIMI i plotë në vend, në komunë, në qeveri, në kuvend, në administratë, në polici nga 170 policë në mbi 2.000, në ushtri nga 65 në mbi 2.000, në administratë nga 2% në mbi 21% dhe gjer në udhëheqjen më të lartë të të gjitha institucioneve të shtetit me përgjegjësi të plotë.

Integrimi në vend imponoi edhe integrimin rajonal nëpërmjet politikës tonë ZERO ÇËSHTJE TË HAPURA ME FQINJTË dhe instalimit të LINJAVE TË KUQE për partinë tonë që janë:

Marrëveshja e Ohrit,

Marrëveshja e Prespës,

Marrëveshja e fqinjësisë së mire.

Nga këto linja të kuqe KTHIM PRAPA SKA dhe kush do partneritet me ne, duhet të respektojë këto parime.

Këtu, me kënaqësi të veçantë para jush paralajmëroj vënien e gurthemelit të Koridorit 8 këtë verë dhe përgëzoj Qeverinë për këtë vendim.

Gjithashtu, ftoj të gjithë pjesëmarrësit në shoqëri, politikanë, institucione, media, OJQ-të, gjyqësi e prokurori, ti hapim front nacional korrupsionit dhe ta ç’rrënjosim, jo me llafe, propagandë e shpifje, por me denoncime konkrete, pa gjueti shtrigash.

Gjithashtu, komunitetin ndërkombëtar, komunitet tjera në vend si dhe partitë politike në vend i porosis që tek Bashkimin Demokratik për Integrim do të vazhdoni ta keni partnerin besnik, të fjalës dhe të veprave, të idealeve dhe të vlerave, frontmen në betejat e lartëpermendura.

Ndërsa bashkëpartiakëve dhe qytetarëve ju them që 20 vjetori i sotëm i dedikohet rinisë e cila sot shënon 20 vite nga lindja, bashkë me Bashkimin Demokratik për Integrim,

Ky 20 vjetor i dedikohet dy dekadave të ardhshme dhe prandaj kush është gati dhe i përgaditur për këtë udhëtim, le të lidh rrypin e sigurisë dhe lë të rreshtohet pas meje.

GËZUAR!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ali Ahmeti: Hajde t’i shpallim luftë korrupsionit, por jo vetëm me llafe

Story i radhës

Selektori i Gjibraltarit: Mjafton të thuhet se ata munden Gjermaninë dhe Italinë

Të fundit nga