Abrashi: Zgjerimi i rrugës Kllokot-Gjilan e rëndësishme për lidhjen me Preshevën dhe Bujanocin

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, kanë marrë pjesë në nisjen e punimeve në zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës N25.3 nga Kllokoti deri në Gjilan.

Kryeministri Hoti tha se  me këto projekte po përmbyllen akset kryesore rrugore në Kosovë, thuhet në njoftimin ministror.

Ai tha se është i nderuar që po fillon puna konkretisht në këto projekte.

“Falënderoj kryetarët e këtij regjioni për bashkëpunimin që kemi pasur. Ky projekt është në të mirë të qytetarëve dhe parashohim investime tjera në të ardhmen”, tha kryeministri Hoti.

Ndërsa ministri Abrashi vlerësoi bashkëpunimin në mes të komunave të Kosovës në implementimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët. Abrashi tha se këto investime krijojnë kushte më të mira për bizneset dhe po ashtu për thithjen e investimeve të huaja.

“Po flasim për një bashkëpunim shumë të ngushtë në mes komunave, qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtar, sikurse BERZH-i, në mënyrë që të krijojmë mundësi të reja për investime në infrastrukturë, investime të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve të këtij rajoni. Gjithsesi se këto investime krijojnë mundësi më të mira për biznesin dhe po ashtu edhe për thithjen e investimeve, prandaj sot jam shumë i kënaqur që po hapim një aks shumë të rëndësishëm që e lidh Kllokotin, Vitinë, Gjilanin pastaj edhe me Preshevën e Bujanocin në korridorin 10”, tha ministri Abrashi.

Abrashi tha se do të vazhdojnë tutje edhe me projekte të reja.

“Sot biseduam edhe për vazhdimin e rrugës deri në Sojevë, për kyçjen e Gërlicës dhe për një qasje më të mirë për rrugën për Stanqiq. Në planin tonë afatshkurtër është vazhdimi i autostradës nga Gjilani deri në Dheun e Bardhë, prandaj projekte të mëdha infrastrukturore që e bëjnë Anamoravën një zonë shumë të rëndësishme kulturore, ekonomike dhe të gatshme për investime”, tha Abrashi.

Ndryshe projekti i rehabilitimit dhe zgjerimit të rrugës nga Kllokoti deri në Gjilan është 11 kilometra e gjatë dhe kap vlerën e 4.9 milionë eurove që është financim i BERZH-it me Qeverinë e Kosovës, gjegjësisht Ministrinë e Infrastrukturës. 

Ngjarja paraprake

Atentat policit bashkiak/ Malësi e Madhe: Shpallet në kërkim një 19 vjeçar

Ngjarja e ardhëshme

Klinika Infektive, vetëm 8 vende të lira për pacientët me COVID-19

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian