A e zgjodhi Serbia neutralitetin, as me Rusinë, as me Perëndimin në marrëveshje me V. Putinin..!?

Sipas të gjitha gjasave që vijnë nga tereni dhe në bazë të fjalimit të A. Vuçiqit, në Kuvendin e Serbisë me rastin e betimit dhe marrjes së mandatit të dytë presidencial, pastaj, pas bisedës së tij telefonike tri orë të dielën e kaluar me presidentin rus, V. Putin, pas dështimit të bashkëngjitjes së Republikës serbe Serbisë, pas dështimit të ndarjes së Kosovës dhe aneksimit të veriut, pas dështimit të negociatave me Kosovën për normalizim të marrëdhënieve politike etj., çfarë do vendimi tjetër që do merrte Beogradi zyrtarë këto ditë, do të ishte, gjithnjë sipas SANU-s, në kundërshtim flagrant me politikën dhe ideologjinë kishtare hegjemoniste serbe në Ballkan..!?

Ja disa fakte që flasin qartë, se pse regjimi autokratik i Beogradit zyrtar e zgjodhi pozicionin NEUTRAL konform rrethanave kritike që po kalon Evropa pas agresionit rus në Ukrainë, madje duke përpiluar elaborate sekrete me kalkulime politike afatgjate, e gjithë kjo si një fazë kalimtare deri në çastin kur, qoftë edhe pas 100 viteve, në Evropë do ndryshojnë rrethanat në favor planimetrisë serbe për rikthim të ish “territoreve të saja” në Bosnje, Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi nën Serbinë e madhe!

Argumenti i parë; e gjithë bota perëndimore në krye me Anglinë dhe SHBA-të, të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe jo anëtare, i vendosen sanksione ekonomike Rusisë, përveç Serbisë, e cila edhe pranë gjithë atyre presioneve që ia bëri Perëndimi muajt e fundit, ajo nuk ka pranuar që një masë të tillë t’ia vendos Rusisë, dihet, me të vetmin shkak sepse në asnjë mënyrë nuk mund të rreshtohet kundër “vëllait të madh”, pa kujdesin e të cilit Serbia nuk do mund të ekzistonte si shtet në Ballkan, që nga shekulli i – VII -të e deri më sot..!?

Argumenti i dytë; regjimi i Beogradit me A. Vuçiqin në krye të Serbisë, kanë deklaruar me qindra herë, “se kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës”, dhe kjo është Alfa dhe Omega në politikën serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan, prandaj qëkur ka filluar dialogu Kosovë-Serbi, pala serbe ka bërë gjithnjë obstruksione për blerje kohe, duke provuar me të gjitha mjetet politike dhe diplomatike që ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës. Mbase, duke tentuar të bëjë marrëveshje edhe në Washington (4 shtator 2020) për marrjen e veriut të Kosovës, por për fat, ai skenar iu dështoi falë miqve tanë në Evropë dhe Amerikë.

Argumenti i tretë; insistimi i vazhdueshëm i A. Vuçiqit në jetësimin e “Ballkanit të hapur”, një skenar ky kryekëput antishqiptar, i ndihmuar nga Edi Rama, për dominim ekonomik në Ballkan i cili në thelb ngërthen në vete ambiciet e hegjemonizmit serb për rikthim të Kosovës nën Serbi, siç e tha edhe një betimin e tij para dy ditëve A. Vuçiqi, por edhe të Malit të Zi, Republika Srpska dhe Maqedonisë. Prandaj, nuk ishte fare e rastit njohja para pak ditëve e Autokefalisë së kishës maqedone nga ana e patriarkut të kishës së Serbisë, sikur puthja e Judës, e që në fakt bartë rrezikun që kisha maqedone pas disa dekadave të shkrihet në kishën serbe, dhe kështu me radhë. Siç nuk ishte fare e rastit ulja e patriarkut serb në rendin e parë në Kuvendin e Serbisë, si dhe falënderimi ekskluziv i Vuçiqit për kontributin e tij, për gjoja në ruajtjen e paqes në Ballkan..!?

Argumenti i katërt; vetë presidenti serb në fjalimin e tij inaugurues për mandatin e tij të dytë, e tha troç; Serbia kurrë nuk do anëtarësohet në NATO, duke lënë me kuptuar qartë, se nuk do bëhet pjesë e asnjë aleance perëndimore, mbase këtë “amanet” me siguri këtë ia kishte kërkuar i “vëllai” (V. Putini) në bisedën e tyre telefonike të dielën e kaluar, dhe, ky fakt nuk kërkon asnjë koment shtesë..!?

A do mund ta realizojë Serbia deri në fund këtë skenar të ri të Neutralitetit fals, kundrejt Rendit të ri botërorë i cili po ndërtohet çdo ditë para syve tonë, kjo mbetet të shihet në muajt dhe vitet e ardhshme !

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Partizani zyrtarizon Elton Marinin si drejtor sportiv

Story i radhës

Ndërpritet trafiku ndërkombëtar, MPB sekuestron drogë me vlerë 300 mijë euro (VIDEO)

Të fundit nga