A do të rimbëkëmbet turizmi në Spanjë me pasaportat për COVID-in?

Propozimi i Komisionit Evropian për të krijuar një pasaportë shëndetësore brenda BE-së për pjesën e mbetur të pandemisë, mund të ndihmojë turizmin veror në Evropën Jugore. Por me vaksinimin e ngadaltë dhe nivelet në rritje të infeksionit, shpresat për një mëkëmbje të shpejtë po zbehen.

Qendra historike e Barcelonës është shumë ndryshe nga ç’ishte dikur.

Pa turistët nëpër rrugë, banorët e Barcelonës mund të ecin me biçikleta në qendrën e qytetit, diçka që nuk mund ta bënin në vitin 2019, kur vërshuan 12 milionë vizitorë. Por pavarësisht hapësirës shtesë, shumë banorë këtu nuk janë të kënaqur.

“Më pëlqente më shumë kur kishte turistë sepse tani ka varfëri. Dyqanet ku shkonin shumë vizitorë, janë të mbyllura. Nëse më duhet të zgjedh mes dy gjërave të ndryshme, marr atë që është më e domosdoshme tani, e në të njëjtën kohë, po mundohem të shijoj Barcelonën”, thotë Antonio Valero, banor i Barcelonës.

Të tjerët meditojnë në vendet historike, si ky grup që u takuan në internet gjatë izolimit dhe tani bëjnë yoga në natyrë.

Por në vendet kryesore turistike të Barcelonës siç është La Rambla, atmosfera është e zymtë: hotelet dhe dyqanet janë të mbyllura.

“Në pjesën e vjetër të Barcelonës, shumica e banorëve punojnë drejtpërdrejt ose indirekt në turizëm dhe aty nuk ka shumë lëvizje”, thotë Fermin Villar me organizatën Amics de la Rambla.

Spanja ishte vendi i dytë më i vizituar në botë, pas Francës dhe përpara Shteteve të Bashkuara. Turizmi përbën 12 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Spanjës.

Ka pak shpresa se propozimi i Komisionit Evropian për pasaportat e COVID-it mund ta shpëtojë industrinë e turizmit këtë verë. Udhëheqësit spanjollë janë të shqetësuar.

“Nuk më pëlqen termi ‘pasaportë’ pasi jemi në zonën Shengen dhe mendoj se lëvizja mes vendeve të Bashkimit Evropian bëhet në bazë të këtij parimi. Duam që lëvizja e njerëzve të lehtësohet sa më shpejt të jetë e mundur. Për disa sektorë, siç është sektori i turizmit, kjo është thelbësore”, thotë Pedro Sanchez, kryeministri i Spanjës.

Shtetasit britanikë përbëjnë një pjesë të madhe të turistëve të Spanjës. Por me Britaninë tani jashtë BE-së dhe pikëpyetjet nëse BE-ja do të pranojë pasaportat britanike për COVID-in, pasiguria në Spanjë vetëm sa rritet./VOA

Ngjarja paraprake

Këshilla për të gjithë “grindavecët”: Si ta menaxhoni zemërimin?

Ngjarja e ardhëshme

Irena Gjoka zgjidhet zv. kryetare në GJKKO, drejtuese në detyrë pas zgjedhjes në Gjykatën e Lartë të Sandër Simonit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian