16 basketbollistë të huaj, me gjithë ankesat e klubeve për krizë të thellë

Me gjithë telashet financiare si rrjedhojë e pandemisë, klubet elitare të basketbollit në Kosovë kanë regjistruar plot 16 lojtarë të huaj për sezonin e ri, i cili është paralajmëruar të nisë më 21 tetor.

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të hënën e ka mbyllur afatin kalimtar për lojtarë vendorë derisa për të huajt kërkesat për transferim mund të paraqiten deri para fillimit të xhiros së 22-të.

Edicioni 2020/21 në basketbollin e Kosovës do të nisë me ndeshjet e Superkupës së Kosovës.

Golden Eagle Ylli, Trepça, Bashkimi e Ponte Prizreni kanë regjistruar nga tre të huaj derisa Rahoveci e Vëllaznimi kanë angazhuar nga dy. Sigal Prishtina ka paraqitur vetëm lojtarë vendorë derisa Peja nuk e ka paraqitur askënd. Te Peja kanë insistuar se primare ishte të mbaheshin lojtarët si Dardan Berisha e Drilon Hajrizi, kurse sa u përket të huajve, ata do të paraqiten gjatë ditëve në vijim.

Është thuajse e sigurt që numri i të huajve do të rritet deri në fillim të edicionit.

“Qëllimi ka qenë të mbahen lojtarët vendorë, kurse të huajt do t’i paraqesim gjatë javës për regjistrim”, ka thënë shkurt Fatmir Gashi nga klubi Peja.

Skuadra e Trepçës, që ende nuk e ka të sigurt garimin në elitë për shkak se do të luajë në ndeshjen e plejautit para fillimit të sezonit kundër AS Prishtinës, ka paraqitur vetëm tri përforcime dhe që të gjithë lojtarë të huaj. Amerikanët Tyresse Williworfd, Mojedd Ewuosho e Devin Haygood do të jenë pjesë e skuadrës nga Mitrovica për sezonin e ri.

Te Golden Eagle Ylli, amerikanëve Danile Regis e Cody John ua kanë shtuar edhe lojtarin që ishte më herët pjesë e ekipit nga Suhareka, Jameel McKeey. Skuadra e Bashkimit dhe ajo e Rahovecit, të cilat ishin ndër të fundit që u “ngjallën”, krahas vendorëve kanë shtuar edhe të huaj. Ponte Prizreni prej vendorëve e ka paraqitur vetëm Arti Hajdarin që sezonin e shkuar ishte pjesë e Pejës derisa Vëllaznimi ka angazhuar Trent Bakerin e Malik Barnesin.

Skuadra e Sigal Prishtinës ka paraqitur më së shumti lojtarë për regjistrim dhe që të gjithë janë vendorë. Ndër më të dalluarit prej tyre janë Arian Qollaku e Altin Morina, që edicionin e kaluar ishin pjesë e skuadrës së Rahovecit. Por nuk ka pasur ndonjë transferim bombastik në këtë afat, sa u takon vendorëve. Për të huajt duhet të pritet fillimi i edicionit për të parë cilësinë e tyre.

“Ne do të startojmë fillimisht me lojtarë vendorë dhe pastaj me kalimin e kohës do të shohim se si po shkojnë gjërat përpara se të angazhojmë të huajt. Mirëpo ideja ka qenë prej fillimit që të startojmë me vendorë për shkak të pandemisë që ka ndikuar dukshëm në financat e klubit”, ka thënë më herët drejtori sportiv i Prishtinës, Florian Miftari.

Lojtare të huaja ka pasur edhe te skuadrat e Superligës së basketbollisteve, të cilat kanë paraqitur për regjistrim gjashtë të tilla. Skuadrat si Bashkimi, Prishtina, Vëllaznimi e Kastrioti pritet të kenë lojtare të huaja në përbërjet e tyre për sezonin e ri. Bashkimi ka paraqitur për regjistrim amerikanet LeJzae Davidson e Jaleesa Avery derisa Prishtina organizatoren Alexis Free. Këto dy skuadra do të përballen në Superkupën e Kosovës dhe përforcimet i kanë angazhuar nga liga e kolegjeve NCAA1. Prej kësaj lige përforcime ka marrë edhe Vëllaznimi: Mobejke Adaeze e Northcross A’Nece ndërkohë Arianna Alexander do të luajë me fanellën e Kastriotit.

Përforcimet

S. Prishtina: Arian Qollaku, Altin Morina, Dion Haxhosaj, Arbër Sinani, Atik Koshi, Eliot Peci, Bledar Thaçi, Albin Rexhepi

Bashkimi: Hoehn Sean Raymond, Shazville Carter, Nikola Vukçeviq, Drin Rexha, Idon Pallushi, Arbër Rushiti, Altin Gashi

Trepça: Tyresse Marquise Williworfd, Mojedd Ewuosho, Devin Deshaun Haygood

Ponte Prizreni: Martin Joshua James, Arti Hajdari, Justin Yamore, Dewayne Jones

Rahoveci: Fisnik Juniku, Edmond Kryeziu, Sami Hajzeri, Isaiah Traylor, Marvin Jones

G.E. Ylli: Danile Regis, Cody John, Blendi Avdili, Leonard Mekaj, Jameel McKeey

Vëllaznimi: Ron Koshi, Kreshnik Avdija, Trent Baker, Malik Barnes

Ngjarja paraprake

Dënohet vrasësi i milionerit kinez Gang Yuan

Ngjarja e ardhëshme

Plagosi me armë 36-vjeçarin, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian