10 arsye pse ekranet janë të dëmshëm për fëmijët

Unë me këmbëngulje qëndroj pas mendimit se fëmijët nuk duhet t’i ekspozohen asnjë lloj ekrani. Çfardo qoftë ai: TV, i-phone, i-pad, laptop etj. Asnjë ekrani, të asnjë lloji, sidomos para moshës dy vjeçare.

Akademia Amerikane e Pediatrisë këshillon që prindërit “të vendosin një kufi të arsyeshëm të argëtimit me media”, dhe të mos lejojnë asnjë lloj ekrani për fëmijët nën moshën dy vjeçare. Përkundër këtyre këshillave, fëmijët e moshës 8-18 vjeç kalojnë mesatarisht shtatë orë e gjysë para mediave argëtuese, bazuar kjo në një studim të Fondacionit Henry J. Kaiser.

Kjo është një kohë e gjatë e kaluar para mediave, brenda një dite. E di se në ditët dhe kohën e sotme qëndrimi im kundër ekraneve është i pazakonshëm. Por mua kjo nuk më pengon (ndoshta sepse vet jam rritur pa prezencë të TV-së).

Pse ekranet janë kaq të dëmshëm? Do t’i cek disa arsye:

1. Vëmendje e shkurtuar: ekranet prodhojnë imazhe me ritëm të shpejtë të sinjalit, që lidhet me interval të shkurtuar të vëmendjes. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre sinjaleve e shkurton intervalin e vëmendjes te fëmijët, e si pasojë e kësaj shohim rritje të shkallës së diagnozave me ADHD.

2. Më pak lexim: Ekranet bëhen burim kryesor i argëtimit, kështu që format më të qeta si leximi, ngjyrosja, të shkruarit, etj duken të mërzitshme. TV-ja paraqet një ekstravagancë tërheqëse ngjyrash e tonesh. Librat janë të qetë. Pse të lexohet një libër që kërkon nga fëmija të imagjinojë dhe të përmbledh energjinë për të krijuar pamje në mendjen e tij, kur ai thjesht mund të ulet dhe t’i shikojë këto pamje të cilat i paraqiten në ekran. Leximi duket i lodhshëm dhe i rëndë. Të shikuarit Tv është më e lehtë. Është më e lehtë të jesh pasiv se sa aktiv.

3. Kohë e humbur: Ekranet të humbin shumë kohë. Ka shumë mënyra më të mira, më të dobishme se si një fëmijë mund t’i kalojë vitet e çmueshme të fëmijërisë se sa të ulet para TV-së, qoftë edhe për dy orë në ditë. Kjo kohë është më mirë të kalohet duke eksploruar në natyrë, në bisedë me prindërit, vëllaun apo motrën, shikimin e fotografive, loja jashtë në natyrë etj.

4. Më pak lojë jashtë: Ekranet me të madhe e kanë zavendësuar lojën jashtë shtëpisë. Ky është një problem i madh. Në mënyrë të ngadalshme, në dekadat e fundit njerëzit janë bërë më dembel dhe e kalojnë kohën kot gjithë ditën. Ne kalojmë më shumë kohë brenda shtëpisë se sa jashtë saj, në krahasim me paraardhësit tanë. Para kësaj kohe moderne të rrethuar nga ekrane, njerëzit një kohë të konsiderueshme e kalonin jashtë në natyrë, gjë e cila është vërtetuar se ndikon shumë mirë në shëndetin fizik dhe psiqik. Por, tash sidoqoftë shumicën e kohës ne e kalojmë brenda, të ulur në divan duke shikuar TV, i-pad apo smartphone. Kjo mënyrë e të jetuarit ka ndikuar në shëndetin tonë publik: tash jemi më të sëmurë, me sistem më të dobët imunitar dhe me trupa më të ndjeshëm, në krahasim me njerëzit që kanë jetuar para nesh. Posaqërisht për fëmijët, qëndrimi jasht është absolutisht i rëndësishëm për një zhvillim të shëndetshëm.

5. Obeziteti: Në mënyrë të vazhdueshme njoftohemi se jemi dëshmitar të një epidemie obeziteti në SHBA, dhe se posaqërisht obeziteti te fëmijët është në rritje. Pa dyshim se lloji i ushqimit që e hamë ka ndikim të madh në këtë fenomen, por njëkohësisht edhe koha që ne e kalojmë ulur. Sa më aktiv që është një person, aq më mirë. Ekranet na detyrojnë të ulemi, gjë e cila në mënyrë të ngadalshme krijon zakonin dhe preferencën e të ulurit për një kohë të gjatë.

6. Varësia: Fëmijët (dhe të rriturit) mund të krijojnë varësi nga aparatet elektronike si i-pad, smartphone, TV etj. Ata bëhen të varur nga këto aparate dhe i përdorin si formë e veçantë e argëtimit. Pa to, disa fëmijë sillen pa kontrollë dhe mënyra e vetme për t’i qetësuar është duke ua dhënë i-phone-in. Kjo fatkeqësisht ndodh me fëmijë të moshës dy vjeçare.

7. Shkatrrimi i komunikimit: Në epokën digjitale shumë njerëz po e zëvendësojnë komunikimin ballë për ballë me mesazhe tekstuale dhe media sociale. Në vend të lidhjes reale, me shikim në sy dhe prekje fizike, fëmijët po mësohen të komunikojnë në mënyrë sipërfaqësore nëpërmjet mesazheve të shkruara. Kjo e pengon rritjen emocionale dhe aftësitë ndërpersonale.

8. Përmbajtje e ndytë: Sa më shumë që një fëmijë t’i ekspozohet ekraneve, aq më shumë ai e konsumon programimin kulturor të shoqërisë moderne perendimore, që është e hipersek-sua-lizuar dhe që fsheh përmbajtje sek-su-ale, dhu-në dhe gjuhë të ndyrë. Kjo është e kundërta e asaj që ne duam të shohim, si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët.

9. Tregojnë më pak dëgjueshmëri ndaj prindërve: janë dy arsye për këtë. Njëra është se në cilindo emision për fëmijë, përfshirë filmat vizatimorë, prindërit shfaqen si figura të paafta që nuk dijnë asgjë dhe ndaj të cilëve vazhdimisht fëmijët tregohen më të zgjuar. Në shumë filma vizatimorë dhe emisione për fëmijë, fëmijët tregohen mospërfillës dhe pa respekt kundrejt prindërve të tyre idiot. E dyta është se kur një fëmijë është duke shikuar Tv dhe ti e thërret (për të ngrënë, për të ndihmuar etj) fëmija është i ngadalshëm në përgjigje. Ata janë tepër të zhytur në atë që janë duke e shikuar, saqë është e nevojshme t’ua thërrasësh emrin disa herë. Ti si prind, je e detyruar të konkurosh me TV-në për të fituar vëmendjen e fëmijës tënd.

10. Konsumerizmi: TV-ja, tani madje edhe Youtube, varen shumë nga reklamat. Pas disa minutave, çdo emision pauzon për pushimin e reklamave, dhe fëmijët e tu do t’i shikojnë reklamat ashtu siç ishin duke e shikuar emisionin. Kompanitë mbështeten në këtë audiencë për të krijuar dëshira artificiale për produktet e tyre dhe krijojnë përfitime për bizneset e tyre. Largimi nga ekranet u mundëson fëmijëve t’i qëndrojnë larg kësaj parade të produkteve dhe i ruan ata nga zhytja në mentalitetin konsumerist që na rrethon.

Ngjarja paraprake

Afrika regjistron mbi 14.700 raste të reja me COVID-19

Ngjarja e ardhëshme

I prekur me koronavirus: Rëndohet gjendja shëndetësore e myftiut të Shkodrës, dërgohet drejt Turqisë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian