​Maliqi optimist se do të ketë avancim të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara

Drejtori i HANDIKOS, Afrim Maliqi, deklaron se është optimist se me shpalljen e vitit 2022, si vit i personave me aftësi të kufizuara do të ketë avancim të të drejtave të kësaj kategorie të shoqërisë. Megjithatë, ai thotë se nuk pret mrekulli, pasi që nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet brenda një viti.

Mungesa e qasjes për personat me aftësi të kufizuara vazhdon të jetë një prej problematikave kryesore me të cilat përballen, e që Maliqi thotë se pret që gjatë këtij vitit të adresohet edhe ky problem.

Kalendari i aktiviteteve për këtë vit përmban një grup aktivitetesh që fokusohen në shëndetësi, drejtësi, siguri, edukim, arsimim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport.

Drejtori i HANDIKOS, Afrim Maliqi, thotë se me shpalljen e vitit 2022, si vit i personave me aftësi të kufizuara institucionet janë zotuar për të punuar në avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Maliqi: Duhet të nxirren ligje me qëllim përmbushjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara

“Do të mobilizohen me qëllim të ngritjes së çështjeve që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara, zbatimin e legjislacionit aktual dhe jo vetëm. Kur them jo vetëm nënkupton që duhet të nxjerrën edhe ligje të tjera dhe akte nënligjore me qëllimin kryesor përmbushjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, në krahasim me situatën apo dokumentet apo praktikat e tjera ndërkombëtare si në Evropë si në botë. Kjo lidhet drejtpërdrejtë edhe me përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Kosovës apo amendamentimin e saj”, thotë ai.

Maliqi thotë se është optimist se qeveria do të përmbushë të gjitha zotimet që i ka marrë me shpalljen e vitit 2022, si vit të personave me aftësi të kufizuara, por që thotë se nuk pret mrekulli, pasi që nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet brenda një viti.

Maliqi: Mrekulli nuk presim për arsye se është vetëm një vit

“Mrekulli nuk presim për arsye se është vetëm një vit dhe për një vit nuk mund të rregullohen të gjitha çështjet dhe për këtë arsye gjatë vitit të kaluar ne kur jemi takuar dhe kur kemi punuar me ministritë për punëtoritë që i kemi organizuar ne, ju kemi thënë ju lutem merrni përgjegjësitë vetëm të atyre gjërave të cilat mund t’i realizoni përgjatë një viti jo më shumë. Ato ministri janë zotuar dhe qeveria e ka marrë në konsideratë zotimin e ministrive për këtë kalendarë të këtyre aktiviteteve të këtyre zotimeve. Tash pritjet janë, shpresat i kemi, por sipas këtyre aktiviteteve të cilat i përmenda të cilat janë zotuar, e sigurisht që punë do të bëhet edhe më shumë se për një vit nuk mund të rregullohen të gjitha gjërat”, thotë Maliqi.

Ai potencon se mungesa e qasjes, paragjykimet dhe mungesa e legjislacionit adekuat janë shkaktarët pse personat me aftësi të kufizuara deri më tash nuk kanë qenë të përfshirë në shoqëri.

Maliqi: Është jashtëzakonisht e rëndësishme ambienti i papërshtatshëm, lëvizja e lirë apo qasja

“Arsyeja se pse personat me aftësi të kufizuara deri më tani nuk kanë qenë të përfshirë në shoqërinë tonë dalin tre shkaktar. E para, është paragjykimet që ekzistojnë në shoqëri ndaj personave me aftësi të kufizuara të cilët shkaktojnë frikë, izolim të vet personat me aftësi të kufizuara për arsye se ende ka nevojë të ngritët vetëdija edhe pse sa i përket vetvetëdijesimit jemi duke shkuar goxha mirë. Çështja e dytë është legjislacioni i cili nuk i merr parasysh të drejtat e tyre si të drejta, jo nevoja por si të drejta, e drejta në arsim, e drejta në shërbime shëndetësore, e drejta për t’u pajisur me pajisje ndihmëse, e drejta në komunikim me gjuhë apo interpretim të gjuhës së shenjave, e drejta në punësim. E fundit dhe që është jashtëzakonisht e rëndësishme ambienti i papërshtatshëm, lëvizja e lirë apo qasja”, thotë ai.

Sa i përket mungesës së infrastrukturës së nevojshme për personat me aftësi të kufizuar, Maliqi thotë se është pengesa kryesore me të cilën përballen kjo kategori. Madje, ai thotë se ata që e vuajnë më së shumti mungesën e qasjes janë fëmijët me aftësi të kufizuara.

Gjendje më e keqe sesa në shkolla, sipas tij, është te universitetet publike, ku thotë se asnjë prej tyre nuk i plotësojnë kushtet për personat me aftësi të kufizuara.

Maliqi: Shumica e shkollave nuk kanë banjo apo tualet për personat me aftësi të kufizuara

“Shumica e shkollave nuk kanë banjo apo tualet e lerë më ashensor, ku gjithmonë për shkak të një nxënësi me aftësi të kufizuara e tërë klasa duhet të jetë në katin e parë. Duhet gjithsesi ta ndërlidhim me çështjen e arsimit që të arsimi nuk është vetëm qasja apo infrastruktura, e cila i pengon familjarët apo ua vështirëson familjarëve përfshirjen e fëmijëve të tyre në arsim. Por, janë edhe disa çështje të tjera, është shëndetësia, janë pajisjet e përshtatshme ndihmëse, është gjendja ekonomike e familjes, transporti i papërshtatshëm, mandej asistenti mbështetës në shkolla, të cilët e bëjnë një kompleksitet me e quajt kështu e që e vështirëson familjarëve dërgimin apo përfshirjen e fëmijëve në shkolla. Sa i përket mësimit të mesëm apo të lartë ajo është një gjendje më të vërtetë katastrofike sa i përket qasjes, ku asnjë fakultet në Universitetin e Prishtinës nuk plotëson standardet e qasjes për studentët me aftësi të kufizuara, ama bash asnjë”, thotë ai.

Më 3 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që viti 2022 të jetë vit i personave me aftësi të kufizuara me qëllim të avancimit të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Deputetja e PD-së zbulon strategjinë që po përgatit Sali Berisha

Story i radhës

MPB: 247 gjoba për tejkalim shpejtësie vetëm dje

Të fundit nga