​Shqetësues mbetet raportimi i rasteve të fëmijëve që janë të cenueshëm

Në javën ndërkombëtare të edukimit medial është mbajtur tryeza “Edukimi medial, përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”, ku u tha se ka mungesë të madhe të vetëdijesimit të prindërve dhe atyre që ofrojnë përmbajtje mediale, derisa mbetet shqetësues raportimi i rasteve individuale të fëmijëve që janë të cenueshëm.

Në këtë tryezë diskutimi të organizuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) dhe Departamenti i Gazetarisë të UP-së, u vlerësua i vonuar trajtimi i kësaj teme në Kosovë, teksa u theksua nevoja për mbrojtjen e interesit të fëmijëve në raport me përmbajtjet mediale.

Profesori universitar, Alban Zeneli tha se përmes këtij aktiviteti synojnë të mbrojnë fëmijët nga përmbajtjet e papërshtatshme mediale të dedikuara për ta.

Anëtarja e KPM-së, Violeta Hyseni – Kelmendi tha se mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe komunikimin e fëmijëve.

“Është obligim ligjor i mediave që të kenë rregullim të programeve”, theksoi ajo.

Zëvendëskryeshefi ekzekutiv i KPM-së, Faruk Rexhaj, tha se është evidente mungesa e vetëdijesimit të prindërve për rëndësinë e përmbajtjes mediale për fëmijët.

“Një nga shkeljet kryesore është mosparalajmërimi akustik… Në KPM rreth 90 përqind të ankesave që vijnë janë nga subjekte të ndryshme dhe jo nga prindërit. Do të vazhdojmë monitorimin e rreptë të kësaj kategorie”, tha ai.

Edhe shefi i departamentit të gazetarisë, Muhamet Jahiri tha se në Kosovë ka mungesë të vetëdijesimit të prindërve dhe atyre që ofrojnë përmbajtje mediale. Ndërkohë që prezantoi të gjeturat e një hulumtimi që kanë bërë së bashku me studentët sa i përket përmbajtjes së programeve që u ofrohen fëmijëve.

“Prej 3 televizioneve me frëkuencë nacionale, asnjëra nga to nuk e tejkalon kohën prej një ore në javë që u dedikohet fëmijëve. Në shumicën e emisioneve që i kemi analizuar, temat që trajtohen aty janë joadekuate. Disa emisione kanë joatraktivitet në kuize, paraqesin pyetje të gjata dhe nuk ka përgjigje. Po ashtu, ka shumë fjalë të huaja. Minutazh i madh i kushtohet anës teorike dhe jo asaj praktike. Pra, pavarësisht minutazhës që u kushtohet fëmijëve, kemi problem me përmbajtjen. Kemi analizuar edhe lajmet, ku asnjëherë fëmijët nuk merren për ndonjë sukses të tyre, por zakonisht storie ku u kushtohet shumë vëmendje abuzimit më fëmijë, dhuna në shkolla, tentativat e vrasjes”, tha ai.

Kurse drejtoresha ekzekutive e KOMF, Donjeta Kelmendi tha se edukimi medial është i një rëndësie shumë të madhe për fëmijët.

“Për neve mbetet shqetësues raportimi i rasteve individuale të fëmijëve që janë të cenueshëm”, u shpreh ajo.

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

ВИДЕО | Димитровска: Улогата на ревизијата е да се утврди од каде партиите примиле и каде дале пари

Ngjarja e ardhëshme

Kina heq detyrat e shtëpisë për nxënësit për këtë arsye

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian