​Challandes: Suedia një ndër ekipet më të mira në botë

Trajneri i Kombëtares së Kosovës Bernard Challendes dhe mesfushori Arbër Zeneli kanë folur në një konferencë për shtyp para ndeshjes së parë kualifikuese për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Me këtë rast, Challendes e ka cilësuar Suedinë si njërën nder skuadrat më të mira në botë dhe se për të marr një rezultat pozitiv ndaj tyre, Kosovës i nevojitet një paraqitje shumë e mirë.

Challendes: Na duhet një paraqitje shumë e mirë ndaj Suedisë për të nxjerrë një rezultat pozitiv

“Do të luajmë kundër një kundërshtari vërtetë shumë të fortë, e kam parë, kam lexuar dhe kam dëgjuar që disa prej njerëzve nuk ndajnë këtë mendim dhe mendojnë që Suedia nuk është një prej ekipeve më të mira por unë nuk kam mendim si ata. Unë mendoj që Suedia është një prej ekipeve më të mira në botë…..Do të luajmë kundër njërit prej njëzetë ekipeve më të mira në botë në bazë të ranglistës së FIFA-së dhe për të arritur diçka në këtë përballje na duhet të kemi një paraqitje vërtetë shumë të mirë në mënyrë që të mund të marrim ose të shpresojmë diçka në këtë takim. Siç edhe e dini, kemi disa probleme me kontingjentin e futbollistëve që i kemi të grumbulluar, na mungojnë pesë lojtarë jashtëzakonisht të rëndësishëm prandaj për të dhënë përgjigje ndaj këtyre mungesave na duhet që të japim përgjigje në mënyrë ekipore.”, tha fillimisht trajneri i Kosovës Bernard Challendes.

Ndërsa mesfushori i Kosovës, Arbër Zeneli foli para mediave me një vet-besim të madh para kësaj ndeshje dhe deklaroi se Kosova në këtë ndeshje luan për tri pikë.

Zeneli: Jemi këtu për tri pikë

“Siç e tha edhe trajneri, kemi folur për këtë lojë, është një ndeshje shumë e rëndësishme. Suedia është një ekip shumë i fortë edhe e kanë sjellë edhe një lojtar klasik, “ëorld class” me Zlatanin edhe duhet të presim një ndeshje shumë të fortë por ne jemi këtu për tre poena edhe do të shohim se çfarë do të ndodhë.” tha Arbër Zeneli

Sa i përket vendimit të tij për të luajtur për Kosovën dhe jo për Suedinë, Zeneli tha se ai tashmë e ka bërë zgjedhjen e tij dhe se dëshiron fitore kundër kombëtares për të cilën kishte luajtur si 15 vjeçar,

Zeneli: E kam bërë zgjedhjen time dhe jam këtu për tri pikë

“Normal që është një ndeshje speciale për mua sepse kam luajtur për Suedinë prej se jam 15 vite edhe më ka ndihmuar të bëhem lojtari që jam sot, por tani unë shikoj vetëm për fitore,…e kam gjetur mënyrën time ku të luaj edhe e kam pritur këtë ndeshje të luaj kundër Suedisë, por ne shkojmë vetëm për tre poena dhe nëse shënoj gol, shënoj gol, ama të shohim.”, theksoi Zeneli.

Sa i përket objektivave të Kosovës, trajneri Bernard Challendes vlerësoi se nuk do të jetë aspak e lehtë që të sigurohet kualifikimi në Kampionatin Botëror, por që tha se shanset për ta bërë këtë Kosova i ka.

Challendes: Fokusi ynë është vetëm te ndeshja me Suedinë

“Siç edhe e dini, siç e kam thënë edhe më herët unë nuk jam trajner që përcaktoj objektiva në bazë të rezultateve por përcaktojë objektiva në bazë paraqitjeve të ekipit, në bazë të lojërave që ne duhet t’i zhvillojmë…. Nëse flasim për kampanjën kualifikuese për Kampionat Botëror është e qartë që nuk mund të them që ne do të kualifikohemi në Kampionat Botëror por në të njëjtën kohë nuk mund të them që ne nuk kemi gjasa për t’u kualifikuar në Kampionat Botëror. Aktualisht ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja me Suedinë.”, tha Chalendes.

Tutje, Challendes foli edhe për atë se si Kosova mund ta ndal një sulmues të rrezikshëm si Zlatan Ibrahimoviç

Challendes: Na duhen 11 lojtarë për ta ndalur Ibrahimoviçin

“Jo dy, na duhen 11 lojtarë për ta ndalur Zlatan Ibrahimoviçin. Në fakt ne me ekipin gjithmonë flasim për të luajtur në mbrojtje si një familje e vërtetë në mënyrë që secili të luan në aspektin e vet, të ndihmojë në repartin defanziv dhe kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Ne do të luajmë si një ekip dhe në këtë formë do të provojmë të mbrohemi edhe në këtë përballje. Opsioni për të pasur një ose dy lojtarë që kujdesen për Ibrahimovicn nuk ka qenë asnjëherë opsion për ne, nuk ka qenë asnjëherë në kokën time.”, potencoi Challendes.

E sa i përket rezultatit që e synon në ballafaqim me Suedinë, Challendes tha se kjo do të shihet varësisht nga përformanca që do ta bëjmë në fushë.

Challendes: Mbase mund të jem i kënaqur me barazim, mbase jo

“Mbase mund të jemi të kënaqur me barazim, mbase jo. Varësisht nga ajo që bëjmë në fushë. E thash edhe më herët për ne është e rëndësishme mënyra si paraqitemi dhe progresi që kemi bërë në lojë. Në rast se do të kemi një paraqitje vërtetë të mirë atëherë normalisht se nuk do të jem i kënaqur me një barazim, por në rast se vuajmë, në rast se jemi në vështirësi gjatë gjithë takimit dhe në fund marrim një barazim, është normale që do të jem i kënaqur me barazim.”, tha ai.

Ndeshja Kosovë – Suedi zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45.

Ngjarja paraprake

E zë poshtë zetori, humb jetën 65-vjeçari në Gramsh

Ngjarja e ardhëshme

Nesër homazhe për nder të 22 vjetorit të masakrës së Izbicës

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian